Main » 2012 » Maj » 15 » A do t’ishte Nikoliqi më i butë se Tadiqi?
5:47 AM
A do t’ishte Nikoliqi më i butë se Tadiqi?

Nexhmedin Spahiu


Epilogu i zgjedhjeve në Francë, Greqi e Serbi sfidë për Kosovën. Pas këtyre rezultateve amerikanët e kanë më problematike influencën e tyre në Francë e Greqi, por nëse Kosova bëhet më pro-aktive në politikën e jashtme rezultatet e zgjedhjeve në Serbi japin hapësirë më të madhe.Në Francë humbi Presidenti Nikolas Sarkozy, që ishte presidenti i parë i një vendi evropian që paralajmëroi lindjen e shtetit të Kosovës. Është presidenti i parë francez në republikën e fundit që nuk arriti të rizgjidhet. Rivali i tij Francois Holland paralajmëroi se do t’i rishikojë politikat evropiane të Francës. Kjo do të mund të komplikonte punë Kosovës në mënyrë indirekte pasi Kosovës i leverdisë që brenda BE-së të ketë sa më pak probleme. Në aspektin direkt, politika e Francës ndaj Kosovës është e pritshme të mbetët e pandryshuar.


Zgjedhjet në Greqi

Në Greqi, skena politike ndryshoi në mënyrë drastike. Lëvizja Pan-helenike Socialiste , PASOK e Evangelos Venizelos, që 3 vjet më parë kishte 160 deputetë në Parlamentin prej 300 vetave ra në 129 deputetë. Kurse Demokracia e Re e Antonis Samaras po ashtu ra nga 91 deputetë në 72 deputetë. Vetëm Partia Komuniste Greke e Aleka Papariga’s mbeti aty ku ishte 3 vjet më parë me 21 deputetë. Partia Popullore Ortodokse e Yiorgos Karatzaferis u rrit nga 15 në 16 deputetë. Koalicioni i Majtistëve Radikalë SYRIZA e Alexis Tspiras nga 13 ra në 12 deputetë.

Në Parlamentin e ri Grek janë 51 deputetë nga forca që nuk ishin më parë të përfaqësuar. Këtu janë 11 deputetë të ANEL-it të Panos Kammenos-it, 10 deputetë rë së Majtës Demokratike të Fotis Kouvelis-it , 8 deputetë të Marrëveshjes Sociale të Louka Katseli-it, 4 deputetë të Aleancës Demokratike të Dora Bakoyannis-it si dhe 18 deputetë të pavarur.

Rezultati i zgjedhjeve në Greqi e vështirëson tej mase formimin e Qeverisë duke rrezikuar kështu zgjedhje të reja dhe përmbysje të mëtutjeshme të raporteve politike të deritashme. Këto zhvillime e bëjnë më delikat raportin e Greqisë me BE dhe më të zbehtë influencën amerikane aty si aleati kryesor i Kosovës.

Situata jo e qëndrueshme në Greqi nuk është në interes të Kosovës. Politika e saj e deritashme ka shkuar në drejtim të përafrimit të njohjes. Situata jo e qëndrueshme nuk e lejon atë që të ndërmerr hapa të mëtutjeshëm në këtë drejtim. Relacioni i saj me BE-në në këtë situatë prishë punë akoma më shumë sa i përket Kosovës sepse siç thash më lart Kosovës i leverdisë që BE të jetë sa më unik e sa më funksional.

Zgjedhjet në Serbi

Me zgjedhjet e fundit në Serbi skena politike ka rrëshqitur në drejtim të kundërt. Në parlamentin me 250 ulëse partia më e madhe doli Partia Përparimtare e Tomisllav Nikoliqit me 55 deputetë, e pasuar nga Partia Demokratike e Boris Tadiqit me 49 deputetë, e kjo e fundit nga Partia Socialiste e Serbisë e Ivica Daciqit me 25 deputetë. Më pas doli Partia Demokratike e Serbisë e Vojisllav Koshtunicës me 21 deputetë, Partia Liberal Demokratike e Cedomir Jovanoviqit me 14 deputetë, Partia e Pensionistëvë e Jovan Kërkobabiqit me 12 deputetë, G17 e Mllagjan Dinkiqit me 11 deputetë, Partia Socialdemokratike e Rasim Lajiqit me 9 deputetë, Serbia e Re e Velimir Iliqit me 8 deputetë, Serbia Unike e Dragan Markoviqit me 7 deputetë, Liga e Socialdemokratëve të Nenad Canakut me 5 deputetë, Lidhja e Hungarezve të Vojvodinës me poashtu 5 deputetë, Lëvizja e Ripërtëritjes Serbe e Vuk Drashkoviqit me 4 deputetë si dhe 10 forca tjera politike me nga 1 e 2 deputetë.

Jashtë Parlamentit të Serbisë mbeti Partia Radikale Serbe e Vojisllav Sheshelit që një kohë ishte partia më e madhe në Serbi. Tani forca më e madhe ka dalë Partia e Nikoliqit që e tradhtoi Sheshelin dhe i mori pjesën më të madhe të partisë.

Me një konstelacion të tillë është vështirë e pritshme që Partia më e madhe nga këto zgjedhje në Serbi të formojë qeverinë. Më e pritshme është që atë ta formojë partia e Tadiqit. Të tilla janë gjasat edhe sa i përket balotazhit ku Tadiqi gëzon një epërsi minimale.

Është më interes të shqyrtohet se çka do të ndodhte në raport me Kosovën në rast se do të fitonte Nikoliqi.

Duke u nisur nga fakti se Nikoliqi ka tradhtuar Sheshelin, dhe nga deklarata e Nikoliqit se rreth çështjes së Kosovës do të bisedonte me Presidenten Atifete Jahjaga, mund te konstatojmë se Nikoliqi mund të rezultojë më i butë se Tadiqi edhe pse në shikim të parë duket më radikal.

Tadiqi sado që është perceptuar në Perëndim si pro-evropian në esencë ka lëvizur shumë ngadalë nga qëndrimet e tij duke u arsyetuar se e ka të vështirë nga opozita e tij radikaliste. Në rast se Nikoliqi të zgjidhej president, atëherë Tadiqi si opozitë nuk do të mund të arsyetohej kësisoj. Për më tepër në kompromiset e Nikoliqit, Tadiqi nuk do të mund të reagonte me kundërshtime sepse Perëndimi do të mund t’ia përkujtonte atij marrëveshjet e fshehta me Hashim Thaçin.

Në anën tjetër, vetë fakti se Nikoliqi ka pranuar e do të bisedonte me Presidenten e Kosovës tregon se Nikoliqi do të shkonte shumë përtej Tadiqit. Derisa Tadiqi ka pranuar të bisedojë me kryeministrin e Kosovës, biseda me presidenten e Kosovës u jep karakter shumë më serioz këtyre bisedimeve.
Views: 602 | Added by: ksdardania | Rating: 3.0/1

Te nderuar komentues! Duke mos dashur te cenojme opinionet tuaja, lutemi qe ato te mos permbajne fyerje dhe ofendime personale dhe te kene lidhje me shkrimin, apo temen per te cilen komentohet. Ne te kundert, nuk do te publikohen. Ju falenderojme qe na ndiqni dhe ju ftojme te vazhdoni te jeni pjese e Ks-Dardania.
comments powered by Disqus