Main » 2012 » Shkurt » 7 » A po rrëshqet Kosova drejt një qeverie teknike?
11:50 AM
A po rrëshqet Kosova drejt një qeverie teknike?
Dr. Azem Hajdari


Zgjedhjet e fundit nacionale (të zhvilluara në fund të vitit 2010), të cilat u karakterizuan nga parregullsi të shumta, më në fund, nxorën një rezultat, që në fakt, ishte shumë i diskutueshëm në aspektin e pranueshmërisë së tyre, të thuash , për gjithë spektrin politik kosovar. Ai rezultat, i mbështetur nga etja për pushtet pati si konsekuencë krijimin e institucioneve të nivelit qendror me legjitimitet tejet të cunguar. Për rrjedhojë, u krijua një Qeveri që, në fakt, nuk manifeston vullnetin e shumicës së qytetarëve që votuan në zgjedhje. Kjo për faktin se numri i votave të fituara të partive që mbetën në opozitë tejkalon numrin e votave të fituara nga partitë që morën për sipër qeverisjen e vendit. Kjo gjendje, si dhe fakti se aktualisht Kosova ndodhet në një fazë të ndjeshme zhvillimi që kërkon vendimmarrje me konsensus për shumë çështje kruciale për të ardhmen e vendit, më kanë shtyrë ta parashtrojë pyetjen e shtruar në titullin e këtij artikulli dhe të përpiqem të jap mendimet e mia personale që ndërlidhen me të.

Rrjedhimisht, unë mendoj se Kosova tashmë veç ndodhet në një gjendje që do të mund të interpretohet si domosdoshmëri e ndërrimit të formulës së qeverisjes. Ndër arsyet kryesore që do të mund të diktojnë një zhvillim të tillë, në një të ardhme të afërt, konsideroj të jenë:

E para, nevoja e përgatitjes së vendit për zgjedhjet e ardhshme. Këto përgatitje kryesisht kanë të bëjnë me:

1. Reformimin e sistemit zgjedhor (përgatitjen dhe miratimin e pakos së legjislacionit zgjedhor).- Siç është e njohur, Kosova ka hyrë në një proces, me gjasë, të thellë reformues të sistemit zgjedhor. Ndonëse aktualisht procesi i këtyre reformave, pak a shumë, po ecën me ritmin e parashikuar, ngecjet e tij mund do të jenë të paevitueshme në javët e muajt në vijim. Puna e Komisionit për amandamentimin e Kushtetutës, për sa i përket mandatit që ka, ka gjasa te ecën pa pasur fërkime të mëdha midis partive politike parlamentare. Po ashtu, mund të thuhet lirshëm se aktualisht janë të pakta edhe fërkimet që e karakterizojnë punën e Komisionit për amandamentimin e ligjeve që adresojnë çështjen e zgjedhjeve, gjë që, me gjasë, është rrjedhojë e faktit se akoma diskutimet në lidhje me çështjet e shtruara për ndryshim janë në fazën preliminare. Sidoqoftë, vlerësoj se e ardhmja e shkurtër është ajo që punën e këtij Komisioni do ta sjellë para shumë ngërçeve. Kjo do të ndodhë kur diskutimet preliminare të çështjeve shtruara e debatuara do duhej në kalojnë në vendimmarrje konkrete. Çështjet kryesore që do të mund konsiderohen të këtij karakteri vlerësoj të jenë ato që do të adresojnë çështjen e zonave zgjedhore (së pari përcaktimi për një apo më shumë zona zgjedhore e më pas numri i tyre), formula e krijimit të Komisionit Qendror Zgjedhor (mënyra e përfaqësimit të pozitës dhe opozitës), mënyra e zhvillimit të procedurës së numërimit të votave (në qendra votimi apo qendra numërimi), mënyra e vendosjes së sistemit të sigurisë së votimit (a do të ketë aparatura të tipit të bankomatëve ku përmes shenjave e dokumenteve identifikuese qytetarët do ti pranojnë fletëvotimet dhe a do të ketë kamera që do të incizojnë procesin e numërimit të votave), mënyra, shkalla dhe intensiteti i spastrimit të listave të votuesve etj.

2. Vënien në pozita të barabarta të subjekteve garuese në zgjedhje për sa i përket disponueshmërisë të aseteve shtetërore. Përvoja e zgjedhjeve të kaluara ka dëshmuar për keqpërdorim të veturave zyrtare e buxhetit gjatë fushatave zgjedhore nga akterët politik që kanë qenë në pushtet. Kjo çështje do duhej rregulluar në atë mënyrë që askush nuk do duhej ti ketë mundësitë e shfrytëzimit të privilegjeve të tilla.

3. Vendosjen e përgjegjësive të përbashkëta për të gjitha subjektet garuese në zgjedhje sa i përket menaxhimit të zgjedhjeve, përfshirë përfaqësimin në personelin vëzhgues, komisionar etj.

Mënyra e deritanishme e sjelljes së subjekteve politike që aktualisht përbëjnë Qeverinë bën të konkludohet se nga to nuk mund të pritet që të kenë vullnetin politik për të bërë reforma të thella në sistemin zgjedhor, për të siguruar ruajtjen e votës së dhënë të qytetarit, mosshfrytëzim të aseteve të shtetit gjatë fushatave zgjedhore dhe shpërndarje të autorizimeve tek subjektet politike në procesin e menaxhimit të zgjedhjeve, vështruar kjo në kontekst të fuqisë që manifestojnë ato subjekte.

E dyta , nevoja për përgatitjen në mënyrën më serioze të mundshme të dialogut për çështjet tejet problematike që pritet të shtrohen në bisedimet Kosovë - Serbi. Ndonëse dialogu i nisur dhe që është në zhvillim e sipër për të ashtuquajturat çështje teknike, në asnjë mënyrë, nuk mund të konsiderohet i ndarë nga aspektet politike, tashmë Kosova veç po hyn në një periudhë kur dialogu për tema të pastra e të nxehta politike (por që prapë të kamufluara si tema të karakterit teknik) konsiderohet se do të jetë i pashmangshëm. Mënyra e zhvillimit të dialogut në çështjet për të cilat palët kanë arritur marrëveshje dhe problemet e mëdha që po e shoqërojnë procesin e implementimit të tyre shtron domosdoshmërisht nevojën e ndryshimit të qasjes sa i përket mënyrës së sjelljes së palës kosovare. Dialogu u nis dhe po vazhdon të zhvillohet pa themelimin e mekanizmave përkatës që do ta bënin atë më konkret, më të qartë dhe më transparent. Me fjalë tjera, Qeveria e Kosovës i hyri këtij dialogu pa përgatitur një strategji veprimi me të cilën do të viheshin në dukje në mënyrë shumë të qartë synimet përfituese të Kosovës dhe pa një plan konkret që do të detajonte temat e dialogut. Kjo mënyrë dialogimi nuk mund të vazhdohet më në këtë mënyrë.

E treta, nevoja për përgatitjes në mënyrë të thuktë të bisedimeve Kosovë – BE (në pjesën që ka të bëjë me palën kosovare) lidhur me liberalizimin e vizave dhe integrimit të vendit në strukturat euroatlantike. Vetë fakti se zyrtarë të lartë qeveritarë, në mënyrë të veçantë ministra deklarojnë, të thuash çdo ditë, se Kosova, në një mënyrë ose tjetër, i ka përmbushur kushtet për liberalizim të vizave dhe më gjerë tregon për nivelin e mashtrimit që në lidhje me këtë po ia bëjnë ata vetës (personalisht dhe Qeverisë) dhe popullit. Unë dhe çdo kush tjetër detyrimisht pajtohemi se në Kosovë janë shënuar shumë të arritura, por jo aq sa vendi qenka përgatitur për të përmbyllur shpejtë këtë proces. Në fakt, kush nuk do të dëshironte që situata të ishte e tillë?. Rrjedhimisht mendoj se vendi, në rrugën e tij drejt rrumbullakësimit të procesit të liberalizimit të vizave, e sidomos drejt anëtarësimit në BE dhe organizate të tjera relevante ndërkombëtare, ndodhet para përgjegjësive të mëdha. Kosova mbetet e detyruar për të bërë shumë sidomos në çështjet që ndërlidhen me sundimin e ligjit. Qeveria e Kosovës duhet që me gjuhën e fakteve të dëshmojë përkushtimin e saj maksimal në luftimin e krimit të organizuar e korrupsionit dhe duhet të ecë vertikalisht në çështjen e përparimit substancial të dialogut rajonal, e sidomos dialogut të brendshëm. Aktualisht nuk duken askund sinjalet që shprehin përkushtimin serioz të Qeverisë së Kosovës lidhur me këto çështje.

E katërta, nevoja për përgatitjen e masave konkrete të përballjes me krizën ekonomike (globale) që pashmangshëm pritet të prekë edhe Kosovën. Mënyra si zyrtarë të lartë qeveritar shprehen lidhur me këtë lloj krize, duke injoruar mundësinë e shtrirjes së saj në vend (në kohën kur parametrat tregues ekonomik veç flasin për manifestim të efekteve të kësaj krize)vlerësohet të jetë treguesi më i mirë që bën të kuptohet se Qeverisë së Kosovës i mungon plani që do ti adresonte masat mbrojtëse të vendit nga kjo krizë që vështirë do të mund ti shmanget ndonjë vend në Evropë. Vlerësoj se krijimi i një plani të detajuar në lidhje me përballjen eventuale të efekteve negative të krizës ekonomik globale sa i përket Kosovës, është jo vetëm i nevojshëm, por edhe i domosdoshëm. Argumenti më i mirë për këtë është ai që adreson angazhimet e vendeve të fuqishme të BE-së karshi krizës që po ballafaqohen dhe që mund të pritet të përballen në të ardhmen. Kjo qasje qeveritare vlerësoj të jetë shumë e gabuar, sidomos kur kemi parasysh faktin se Kosova përfaqëson njërin nga vendet më të pazhvilluara të Evropës.

E pesta, nevoja për përgatitjen e zhvillimit të një procesi të ligjshëm të privatizimit të ndërmarrjeve të mëdha publike, sidomos të postës dhe KEK-ut. Këto dy ndërmarrje publike, pa përjashtuar edhe të tjerat që ekzistojnë, përfaqësojnë një potencial të madh ekonomik për vendin. Që ky fakt të jetë pjesë edhe i një realitet prezent edhe në të ardhmen shtrohet e domosdoshme që procesi i privatizimit të këtyre ndërmarrjeve të konsiderohet, jo vetëm në kontekst të sigurimit të ligjshmërisë dhe transparencës që do duhej ta përcjellë procesin e privatizimit të tyre, por edhe në aspektin e përfitimeve ekonomike për vendin. Qeveria aktuale, në mënyrën si u ka hyrë veprimeve tenderuese të këtyre dy gjigantëve ekonomik pak kohë më parë (por pa sukses), nuk garanton respektim të parametrave të theksuar. Edhe në këtë segment shtrohet si domosdoshmëri ndryshimi i qasjes së veprimit të Qeverisë së vendit.

Arsye tjera që determinojnë ndryshim të shpejtë të formulës së qeverisjes mund të konsiderohen edhe: acarimi i tejskajshëm i gjuhës së komunikimit të subjekteve politike parlamentare, sidomos midis PDK-së që udhëheqë me Qeverinë dhe Vetëvendosjes, gjendja ekzistuese tejet problematike në veriun e vendit, çështjet problemore që ndërlidhen me sundimin e ligjit, dështimet në shumë segmente të qeverisjes së vendit etj.

Në fakt, në opinionin publik mbretëron mendimi se Qeverisë së Kosovës aktualisht i mungojnë kapacitetet profesionale, por edhe kapacitetet tjera që do të garantonin adresim të duhur të këtyre çështjeve. Së këndejmi, është e këshillueshme që zyrtarët kompetentë qeveritar, pa pritur shumë kohë, të fillojnë të mendojnë më seriozisht rreth çdo alternative të mundshme që do të garantonte adresim të qartë, të drejtë dhe në përputhe me interesat vitale të vendit të çështjeve të shtruara në këtë artikull.

(Autori është anëtar i Kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës)
Views: 229 | Added by: ksdardania | Rating: 5.0/1

Te nderuar komentues! Duke mos dashur te cenojme opinionet tuaja, lutemi qe ato te mos permbajne fyerje dhe ofendime personale dhe te kene lidhje me shkrimin, apo temen per te cilen komentohet. Ne te kundert, nuk do te publikohen. Ju falenderojme qe na ndiqni dhe ju ftojme te vazhdoni te jeni pjese e Ks-Dardania.
comments powered by Disqus