Main » 2012»Maj»8 » Athina e Prishtina në dialog të strukturuar
4:35 PM
Athina e Prishtina në dialog të strukturuar
Ambasadori Alexandros Mallias
Procesi i zgjerimit i hapur për të gjitha vendet e Ballkanit që nga viti 2003, në Samitin Evropian të Selanikut, është mekanizëm i domosdoshëm i fuqisë dhe zgjuarësisë dhe katalizator për ndryshimin e qëndrimeve dhe politikave. Procesi i zgjerimit është po ashtu gjenerator i dinamikës, praktikës dhe sinergjive për zgjidhjen e problemeve. Odiseja është mishërim i kompromisit.Marrëveshja e realizuar në Bruksel më 24 shkurt 2012 nga Serbia dhe Kosova nën mbikëqyrjen e BE-së, i hapi rrugë statusit të kandidatit për Serbinë në Bashkimin Evropian. Është gjithashtu e qartë se, përveç historisë dhe simbolikës, ekziston edhe një lloj sinkronizimi me studimin e fizibilitetit të Komisionit Evropian për Republikën e Kosovës.
Kalimi i Serbisë në temë qendrore të Bashkimit Evropian po ashtu do të gjenerojë energji të nevojshme dhe dinamikë pozitive edhe për Republikën e Kosovës. Në këtë kontekst, 27 marsi (opinioni për integrim evropian), ishte një ditë e rëndësishme për Republikën e Kosovës, për Ballkanin dhe për Bashkimin Evropian. Udhëheqësit në Prishtinë dhe Beograd duhen uruar për marrëveshjet e arritura në Bruksel. Presidenti Boris Tadiq dhe kryeministri Hashim Thaçi ishin shtrënguar që të bëjnë kompromise në mënyrë që të thoshin po.
Tani të dy duhet të përballen me "çmimin politik” që do ta paguajnë në shtëpi. Kundërshtimet për simfoninë e Brukesit kanë qenë shumë të zëshme në Beograd dhe Prishtinë. Pavarësisht nga dallimet e tyre mbi çështjet që lidhen me statusin, Serbia dhe Kosova e kanë kuptuar se integrimi i tyre në Bashkimin Evropian kërkon kompromise.
Për Greqinë dhe Kosovën
Kosova është fqinji ynë më i ri. Teza ime është e qartë dhe e kam deklaruar publikisht në Prishtinë e Tiranë, sikurse edhe në Athinë. Tash së voni, në disa të përditshme në Prishtinë dhe Tiranë, si dhe në disa media greke kam publikuar artikullin tim me titull "Greqia dhe fqinjët tanë shqiptarë”. Aty mbroj nevojën dhe në fakt urgjencën për një ndërmarrje diplomatike të freskët dhe gjithëpërfshirëse, për një ‘Marrëveshje të re” në mes të Greqisë dhe Shqipërisë, si dhe ndërmjet Greqisë dhe Kosovës’.
Më kanë thënë se kjo është shumë ambicioze dhe mjaft e komplikuar. Gjithashtu është e rrezikshme. U jam përgjigjur duke thënë se nuk ka udhëheqje pa ambicie dhe pa rreziqe. Këto janë pikat themelore të kësaj ndërmarrjeje diplomatike:
• Athina dhe Prishtina duhet të hyjnë në një dialog të strukturuar politik me qëllim përpilimin e një dokumenti bazik bilateral, që është ligjërisht detyrues, pra një traktat.
• Ky dokument do të duhej të përputhet me interesat e Greqisë dhe t'iu përgjigjet shqetësimeve të saj. Në anën tjetër, për Republikën e Kosovës, rezultati është i qartë: njohja. Çfarëdo që është thënë ose argumentuar në lidhje me potencialin dhe aftësitë e saj, kryesisht prapa dyerve të mbyllura, në realitet, Greqia interesohet për Kosovën.
• Paralelisht, njohja e Kosovës nga Greqia duhet të bëhet katalizator në rigjallërimin e marrëdhënieve mes Tiranës dhe Athinës. Ata vuajnë për një kohë nga mungesa e vullnetit politik dhe lëvizshmërisë, të menduarit kreativ dhe angazhimit për të tejkaluar problemet ekzistuese por që mund të zgjidhen.
• Greqia ka një mbulueshmëri mjaft të vështirë mediale në shtypin e Tiranës. Komentet mediale bëjnë një jehonë në Greqi me kërkesat anakronike nga disa grupe politike, të cilat nuk gjenerojnë mbështetjen e nevojshme politike për qeverinë e Athinës, në mënyrë që ajo të lëvizë drejt çështjes së Kosovës.
Rruga e Kosovës drejt Bashkimit Evropian u zyrtarizua gjatë Presidencës Greke të vitit 2003 në Bashkimin Evropian. Në të vërtetë, programi i Presidencës përfshinte këtë formulim:
"Modalitetet e përfshirjes së Kosovës në Procesin e Stabilizim Asociimit (PSA) do të duhet të adresohen duke respektuar plotësisht Rezolutën 1244 dhe në kuadër të konceptit ‘Standardet evropiane para statusit”. Sot, ky formulim duket të jetë një anakronizëm për kosovarët. Nëntë vjet më parë, ishte më shumë se i rëndësishëm. Për herë të parë Kosova, sipas kushteve të veçanta, u ftua për t'u përfshirë në Procesin e Stabilizim Asociimit. Kosova ishte me të vërtetë e pranishme në Selanik. Prania e ish-Presidentit Rugova dhe më pas kryeministrit Bajram Rexhepi në Samitin e BE-së për Ballkanin Perëndimor ishte histori në bërje e sipër. Sot, me duhet të rrëfej se më vjen keq që një udhëheqës si presidenti Ibrahim Rugova duhet të ulej prapa një ambasadori në Samitin e BE-së në Selanik.
Agjenda e Selanikut, e miratuar nga Këshilli Evropian më 20 qershor, specifikon se "Bashkimi Evropian ripërsërit mbështetjen e tij për zbatimin e plotë të Rezolutës 1244 dhe të politikës së standardeve para statusit”. Mbi këtë bazë, njerëzit e Kosovës multietnike dhe demokratike do të kenë vendin e tyre në Evropë. Për më tepër, pjesa operative e agjendës së Selanikut përmbante gjuhë më të elaboruar për Kosovën duke përfshirë çështjen e thirrjes për "Dialog mes Beogradit dhe Prishtinës për çështje praktike të interesit të përbashkët.
Greqia ka deklaruar synimin e saj për të organizuar një samit si ‘Selaniku 2’ gjatë presidencës së saj në Bashkimin Evropian në 2014. Athina ka ambicie për të përdorur këtë ngjarje për të ‘ristartuar pullën’ e marrëdhënieve të Ballkanit Perëndimor me BE-në.
Nuk mund ta paramendoj samitin ‘Selaniku 2’ me çështjen e njohjes së Kosovës ende të pazgjidhur. Së paku, për sa i përket Greqisë. Me bazë fitues-fitues, një proces i strukturuar politik duhet të përfshijë Athinën dhe Prishtinën.
(Ky editorial është përmbledhje e fjalimit të ambasadorit Alexandros Mallias në Sallonin e së Martës organizuar nga Demokraci për Zhvillim – D4D. Ambasadori Mallias ka qenë ish-ambasador i Greqisë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës)
Te nderuar komentues! Duke mos dashur te cenojme opinionet tuaja, lutemi qe ato te mos permbajne fyerje dhe ofendime personale dhe te kene lidhje me shkrimin, apo temen per te cilen komentohet. Ne te kundert, nuk do te publikohen. Ju falenderojme qe na ndiqni dhe ju ftojme te vazhdoni te jeni pjese e Ks-Dardania. comments powered by Disqus