Kosova e kaloi edhe një javë e tronditur, në dhimbje dhe e fyer pas vrasjes në Mitrovicë. Si rëndom pas akteve të tilla, pos shprehjes së sinqertë të shqetësimit, pati edhe demagogji të zhurmshme të atyre që disi më shumë u shkojnë për shtati gjendjet e jashtëzakonshme sesa normaliteti, e të cilat, për fat të keq, nuk mungojnë në këtë vend. Ndonëse përgjegjësit, vendorë a ndërkombëtarë, ende nuk e dinë, apo së paku nuk na e thonë, se kush e vuri mjetin shpërthyes në dritaren e shtëpisë së Selver Haradinajt, të cilin e la të vdekur në vend e i plagosi e tmerroi dy fëmijët e gruan e tij dhe i la në frikë e ankth të gjithë banorët shqiptarë të veriut të vendit, shumëkush është i sigurt se kujt duhet t’i adresohet faji. Fakti se Serbia e ndihmon rebelimin e serbëve veriorë kundër pushtetit të Kosovës, ndërsa kohët e fundit ka shkaktuar një varg incidentesh e aktesh dhune ndaj Kosovës e qytetarëve të saj, bëri që fajtori i mundshëm të kërkohet andej.
Paradoksalisht, acarimi i Serbisë ndodh mu kur ajo do të duhej të ishte me e kujdesshme ndaj Kosovës, për shkak të procesit tashmë të filluar, me iniciativën e Perëndimit, për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve, si kusht që të dy shtetet të bëjnë bashkë rrugën drejt Evropës, edhe pse me shpejtësi dukshëm jo të barabarta në dëm të Kosovës dhe me kompromise të dhembshme po ashtu të kësaj të fundit. Tashmë e dimë edhe se qëndrim tolerues i Perëndimit ndaj sjelljeve të Serbisë arsyetohet me bastin vërtet të madh se kah do t’ia mbajë ky vend – drejt Rusisë apo drejt Perëndimit, dhe me qëllimin që me asgjë të mos rrezikohet fija tepër e hollë e orientimit proevropian të këtij vendi, i përfaqësuar, siç besohet, nga presidenti i deritashëm Tadiq.
Çështja që duhet te shtrohet në këtë mes është se a duhet që Serbia dhe Kosova ta bëjnë bashkë rrugën për në Evropë, apo secila duhet të ketë një shteg të veçantë të saj dhe secilës t’i kërkohet të bëjë detyrat e saj? Po ashtu, a është i sinqertë orientimi proevropian i Boris Tadiqit, aq sa t’ia vlejë që Kosova edhe të flijojë nga diçka? Dhe, pyetja më e rëndësishme: a i ndihmohet atij në këtë mënyrë?
Avokati beogradas, Sërgja Popoviq, i cili çmohet si njëri prej intelektualëve më të shquar serbë e që, për shkak të kundërshtimit të nacionalizmit serbomadh e Sllobodan Millosheviqit të nëntëdhjetat i ka kaluar në Amerikë, pozicionin e tij politik e vlerëson si bukur të dobët, prandaj edhe për këtë shkak nuk hap kurrëfarë frontesh dhe iu shmanget të gjitha konflikteve të mprehta politike. Por, me mënyrën se si ai e ka shpallur pajtimin kombëtar, duke shkaktuar shok edhe në partinë e tij me hyrjen në koalicion me socialistët e Ivica Daçiqit, bashkëpunëtorin e afërt të Millosheviqit, madje edhe me një pasues të partisë së Zhelko Razhnjatoviq Arkanit, Popoviq nuk e sheh si shprehje të realizmit politik.
"Puna është se në Serbi janë dy rrugë, dy opsione – Serbia proevropiane dhe ajo tjetra, nacionaliste, ortodokse, e lidhur me Rusinë... ", thotë Popoviq, i bindur se Tadiq nuk mund të bashkojë gjërat e papajtueshme, por duhet të zgjedhë njërën apo tjetrën. Dhe, ai nuk ka besim se ai mund të zgjedhë, kurse të mbështetesh në Tadiqin është gjë e pashpresë, ai gjen edhe në tiparet e personalitetit të tij:
"Dëshira e tij është vetëm të mbijetojë vetëm edhe një mandat, edhe një vit, edhe një muaj apo edhe vetëm një ditë. Në këtë mënyrë tregon se nuk ka politikë, se kthen në stagnim, e kjo për vendin do të thotë dështim... Tadiq është njeri i zbrazët. Ai është ajo që shihni në nivel manifestimi. Dhe kjo është e tëra. Pas kësaj s’ka asgjë. Ai është maneken politik”.
Dyshimi në "Serbinë proevropiane” të Boris Tadiqit shfaqet edhe nga një autoritet tjetër akademik, tash nga Bosnjë e Hercegovina, vend ky i cili në raportet me Serbinë ka pasur dhe ka fatin e njëjtë të keq, si Kosova. Enver Kazaz, profesor i letërsisë dhe analist politik nga Sarajeva, duke folur për një libër të ri të ideologut të nacionalizimit serbomadh, Dobrica Qosiq, thotë se nuk beson se Serbia e Tadiqit është e aftë të heqë dorë nga ideologjia e Qosiqit.
Së fundi, ka shenja se edhe Perëndimi e ka kuptuar se tolerimi i sjelljes agresive të Serbisë ndaj Kosovës, vetëm sa mund të ushqejë nacionalizimin serbomadh, e jo edhe të ndihmojë orientimin e saj proevropian. Përdorimi i gjuhës së duhur nga kryeministri Thaçi për veprimet e Serbisë në bisedë me baroneshën Ashton, madje në kthim nga SHBA-të, me gjasë duhet të jetë dëshmi e mirë për këtë.
Te nderuar komentues! Duke mos dashur te cenojme opinionet tuaja, lutemi qe ato te mos permbajne fyerje dhe ofendime personale dhe te kene lidhje me shkrimin, apo temen per te cilen komentohet. Ne te kundert, nuk do te publikohen. Ju falenderojme qe na ndiqni dhe ju ftojme te vazhdoni te jeni pjese e Ks-Dardania. comments powered by Disqus