Main » 2012 » Shkurt » 7 » Borë mbi barrikada
11:48 AM
Borë mbi barrikada
Beqë Cufaj


Nëse ia vlen të bëhet politikë në këtë dimër të madh që ka mbërthyer edhe Kosovën, nuk e dimë, por ajo që bie në sy është se këto ditë askush, ama askush, nuk po flet për barrikadat. Po pra. Pikërisht barrikadat e vendosura në pikun e verës nga serbët në pjesën veriore të territorit të Republikës së Kosovës në drejtimin e pikave kufitare 1 dhe 31 në kufirin me shtetin fqinjë, Serbinë. Në anën tjetër, ndoshta pikërisht pse e kemi këtë acar e këtë borë të paparë ndonjëherë për dekada me radhë, s’kanë së rreshturi propozime e supozime, plane e përpjekje për ta zgjidhur problemin e veriut dhe me këtë edhe për të shënuar shkëputjen përfundimtare të Kosovës nga orbita politike e historike serbe. 

"Statusi special” për veriun e Kosovës, "katërpikëshi” konkret i Tadiqit, propozime pensionistësh të politikës për ndarjen, përkatësisht "shkëmbimin” e veriut të vendit me Luginën e Preshevës dhe një mori propozimesh të kësaj natyre i servohen opinionit çdo mëngjes e çdo mbrëmje, thuajse Kosova dhe Serbia janë në prag të një lufte të re apo tensionesh, të cilat u ngjajnë atyre të verës së vitit të kaluar. Në të vërtetë asgjë nuk po ngjet.

Ose që të jemi edhe më të sinqertë, krejt ato që kanë ngjarë javën e kaluar, përfshirë edhe zbulimet a propozimet e lartpërmendura a të ngjashme me to nuk do të duhej të ishin gjë tjetër pos një vazhdimësi e qartë e gjetjes paqësore të konfliktit mes Prishtinës e Beogradit, shqiptarëve dhe serbëve.

Ngjarja më e rëndësishme që për Kosovën shënohet javën e kaluar, s’ka dyshim që është ajo e aprovimit të Rezolutës së Kuvendit të Kosovës për përfunimin e mbikëqyrjes së pavarësisë së vendit. Ndërlidhur me këtë, s’ka kurrfarë dyshimi, ishte dhe është takimi që Presidentja e Republikës, Atifete Jahjaga në margjinat e Konferencës së Munihut për Siguri kishte me (super)ministrin e BE-së për Zgjerim, Shtefan Füle. Dhe porosinë që ai presidentes së vendit ia dha me vete në Prishtinë: duhet ta keni platformën për veriun.


Jo pa qëllim duhet lënë pak anash punën e vizitës së Cooperit apo atyre të negociatave. Kjo, sepse njeriu i Baroneshës e ka mëse të qartë që Tadiqi nuk është i gatshëm ta vrasë veten politikisht duke pranuar të shkruhet "Republikë” në takimet rajonale, kurse Thaçi e di, e ka mëse të qartë që po qe se do ta jepte këtë shprehje për Brukselin e Beogradin, do ta vriste po ashtu mantrën e tij të vetme politike - dukjen, pamjen, imazhin... armën e tij kryesore dhe mbase të vetme politike që e ka për të mbijetuar mes kaosit dhe keqqeverisjes, e cila di të jetë talenti i tij i vetëm prejse e ka marrë në dorë udhëheqjen e vendit.

Kthehemi pra te Rezoluta e Kuvendit dhe te porosia e Shtefan Füles. Mes të cilave si Thaçi ashtu edhe Tadiqi kanë filluar jo veç të flirtojnë, por edhe t’i çojnë njëri-tjetrit "selame” a "pozdrav”-a politikë për "takime” të mundshme. Në tërë këtë lojë ka një logjikë të shëndoshë. I mbërthyer me këtë talentin defektuoz të keqqeverisjes, Thaçit i duhet kohë dhe i duhet si infuzion permanent veriu. Tadiqit po ashtu, sepse sivjet i ka dy palë zgjedhje - për parlament dhe për karrigen e vet - të presidentit.

Loja nxehtë-ftohtë apo gota e mbushur a e zbrazur, por kryesorja është përgjysmë, do të jetë ajo që do na përcjellë për muaj e muaj të tërë gjatë këtij viti. Pa ndonjë përparim signifikant, qoftë në bisedimet e Editës e Borkos, ashtu edhe gjendjen e përgjithshme në veri.

Derisa të kryhen zgjedhjet presidenciale në Serbi (e mori kjo statusin e kandidatit apo jo) në fundvit. Dhe ja, pikërisht në këtë fundvit, edhe Kosova duhet ta përmbyllë procesin (ligjor, politik etj.) të ICO-së dhe të mbikëqyrjes së pavarësisë.

Atëherë dhe kjo do të thotë pas rreth një viti si sot planet janë të hapen kartat e veriut të vendit. Tadiqi sipas gjasës do të rizgjidhet president, Thaçi do t’i fërkojë duart që mbijetoi edhe një vit, kurse Brukseli, sidomos Brukseli, do të na thotë: Ahtisaari është përmbyllur ... prandaj hajdeni me propozimin e ri për autonomi të atij rripi toke.

Sot të mbuluar me barrikada e borë. E gjatë tërë vitit me tensione e frymëmarrje të zorshme, të cilat shefave u hyjnë në punë për mbijetesë, kurse popullatës i ofrohen si opium i politikave të pështira proteksioniste... A do ta lejojmë këtë?!
Views: 197 | Added by: ksdardania | Rating: 5.0/1

Te nderuar komentues! Duke mos dashur te cenojme opinionet tuaja, lutemi qe ato te mos permbajne fyerje dhe ofendime personale dhe te kene lidhje me shkrimin, apo temen per te cilen komentohet. Ne te kundert, nuk do te publikohen. Ju falenderojme qe na ndiqni dhe ju ftojme te vazhdoni te jeni pjese e Ks-Dardania.
comments powered by Disqus