E tash si t’ia bëjmë. Ja që edhe Evropa qenka kundër. Ishte shpallur suksesi më i madh i Kosovës që po na i hapte dyert e prosperitetit drejt "ardhmërisë së ndritur” e integrimeve tjera evropiane, por as Parlamenti Evropian nuk po na e pranon. Fusnotën, pra. Kosova në Parlamentin Evropian nuk mund të prezantohet me * . Në mbledhjen e djeshme në Strasburg, u miratua rezoluta për Kosovën, e paraqitur nga raportuesja Ulrike Lunaçek, por amendamenti i propozuar që Kosova në Parlamentin Evropian të përfaqësohet me fusnotë, është hedhur poshtë. "PE hedh poshtë Fusnotën” ishte lajmi i ballinave në mediet tona, por që injorohej plotësisht në ato të Beogradit, në të cilat çdo gjë tjetër ishte korrekte: se ishin përshëndetur marrëveshjet e arritura me Kosovën, se Serbisë i bëhej thirrje që ato t’i zbatojë, se shprehej brengosja për gjendjen në veri dhe barrikadat që duhet të largohen , por për lajmin se është hedhur poshtë amendamenti që Kosova në PE të përfaqësohet me Fusnotë nuk kishte pasur vend.
Nëse është kështu, nëse Parlamenti Evropian nuk e pranon, kujt i duhet Fusnota. Dhe për çka do të na shërbejë. Që në ndeshjen hendbollistike mes "Radniçki” të Nishit e "Llapit” në pllakën para ekipit tonë nën atë yllin * të qartësohet se sipas 1244 jemi pjesë e Serbisë, edhe pse kemi shpallur pavarësinë, e cila nuk është kontestuar me mendimin e Gjykatës Ndërkombëtare në Hagë?
Edhe entuziastëve më të mëdhenj, edhe pse të paktë, që mund të kenë besuar se problemeve me Serbinë pas Fusnotës u ka ardhur fundi, të mërkurën kryepolici Millosheviqit, Ivica Daçiq iu ka treguar si duket në vepër "reciprociteti në arrestime”.
Hasan Abazi, kryetari i Sindikatës së Industrialistëve të Kosovës dhe Adem Murseli, që nën dyshimet e trilluara për "spiunazh dhe tregti me drogë” po mbahen në paraburgim, mund të kenë besuar në Fusnotën dhe marrëveshjen për qarkullimin e lirë kur ishin nisur për në takimin ndërkombëtar në Zagreb. Pyetni tash, pa të shihni çka do të thonë.
Ide e kujtdo të ketë qenë, Fusnota me kompromiset joparimore, efektin do ta ketë në zgjedhjet serbe muajin e ardhshëm kur pritet fitorja e krahut që shtiret si proevropian. Serbia qartazi është prioritet i Evropës me gjithë krimet, torturat, dhimbjet e të gjitha të tjerat që u ka shkaktuar popujve përreth.
Më në fund, a ka menduar kush që edhe Serbia, nëse pretendon se ende e ka edhe Kosovën në kuadër të vet, të kushtëzohet që edhe ajo në takimet rajonale të përfaqësohet me Fusnotën e vet. Që edhe ajo të ketë atë "yllin” me sqarimin se cila është Serbia. Është e plotë, ajo që sipas Kushtetutës së saj Kosovën e ka pjesë të veten apo... Që të dihet cilët janë kufijtë e vendit që ka marrë vizën për në BE.
Me Fusnotën e këso zgjidhjesh joparimore, nëse jo Kosovës, së paku mund t’i kemi kontribuar shkencës juridike. Djalli i fusnotës tanimë mund të ketë dalë nga shishja. Nuk është larg mendsh që dikujt t’i teket e ta bëjë objekt studimi. E pastaj studentët në të ardhmen të na mallkojnë se jemi bërë sebep që t’u shtohet edhe një provim. Lënda "E drejta ndërkombëtare me fusnotë”, si kontribut i Editës sonë.
Edhe pse "antiamerikanizmi” i Parlamentit Evropian që nuk na e pranoi Fusnotën mund ta ketë dëshpëruar, pretendimet e Editës se Fusnota si fryt i takimeve të shpeshta me Borkon së paku do t’i hyjnë në punë dikujt, janë legjitime. Edhe nëse për këtë dikush mund të fëlliqë gojën, ti shajë e ti mallkojë. Studentët, po mendoj...
Te nderuar komentues! Duke mos dashur te cenojme opinionet tuaja, lutemi qe ato te mos permbajne fyerje dhe ofendime personale dhe te kene lidhje me shkrimin, apo temen per te cilen komentohet. Ne te kundert, nuk do te publikohen. Ju falenderojme qe na ndiqni dhe ju ftojme te vazhdoni te jeni pjese e Ks-Dardania. comments powered by Disqus