Bob Dylan pas dy muajsh do të shënojë pesëdhjetë vjet karrierë. Qëkur është ngjitur në skenë, në vitin 1962, nuk ka zbritur akoma edhe sot kur është shtatëdhjetëvjeçar. "The Rolling Stones” po ashtu këtë javë kanë shënuar gjysmëshekullin e jetës së bendit. Këta dhe të tjerë të viteve të 60-ta e 70-ta, bashkë me Morrison-in, Hendrix-in e Joplin-in, të cilët për fatin e keq më nuk janë, ishin kush më shumë e kush më pak "kopilë” të droguar. Por të gjithë këta "kopilë” bënin art, dhe i kemi adhuruar për krijimtarinë e tyre, për muzikën e poezinë.Kjo do të vazhdojë, thonin njëzetë vjet më parë, kur Dylan mori çmimin "Grammy” për vepër jetësore. Ata vazhduan dhe i lanë "bijtë” që sa e sa herë u mahnitën me artin e tyre. Por a ishim ne që i adhuruam, "kopilë të degjeneruar”? Këtë përgjigje sigurisht se do ta jap menjëherë ndonjë hoxhë i Prizrenit, ligjëratat e të cilëve qarkullojnë e fluturojnë nëpër "YouTube”. Se a është halli pse "Dokufesti” ka qëlluar të jetë bash do ditë para se të niste muaji i shenjtë i Ramazanit, apo pse Prizreni, jo pak i dergjur në narkotikë, tash e shumë vjet më parë, gjatë këtij festivali filmi ka bërë që rinia të dehet në drogë, dhe birrat të shkarkohen me ‘shlepera’..., apo pse filmat që janë shfaqur nuk paskan pasur të bëjnë me asnjë gjë që është shqiptare, kombëtare a fetare, dhe në fund të fundit a është pse "Dokufesti” po i shkatërroka vlerat e moralit dhe po synoka ta prishë besimin në fe, e tash duhet t’i lutemi Zotit e t’i kërkojmë ta shpëtojë popullin e Prizrenit?!
Këto i thotë Hoxha Mazllam, i cili qe më shumë se një javë qarkullon në internet duke u bërë thirrje vëllezërve e motrave t’i bashkohen atij e hoxhallarëve të tjerë, ta shpëtojnë popullin e Prizrenit nga "Dokufesti” që sjell alkool, drogë e imoralitet. Në këtë qytet, që siç thotë hoxha, vetëm pak kohë më parë kaloi nëpër tmerrin e mbrëmjeve të maturës, me "cullakhane”, birra e raki, e tash edhe kjo hata e madhe.
Haj medet! Prizreni i bukur është tronditur! Prizrenin e lashtë, Prizrenin e kalldrëmeve e të kalasë duket se e ka kapur dreqi! Thirrja e hoxhës Mazllam që kërkon bashkim për ta gjetur dermanin e të madhit dhe thirrja e hoxhës Mervan që u kërkon prindërve t’i mbyllin fëmijët brenda gjatë gjithë ‘javës së dreqit’, me arsyetimin se përpjektjet për art e kulturë, nuk janë veçse pallavra, duke i kthyer ato në përpjekje për ta ndalur islamin, nuk duken se janë lojë të pafajshme. Loja e hoxhës e ka hilen e vet!
Ndjesë më paqi pse është muaji i shenjtë i Ramazanit, por shfrytëzimi i fesë për qëllime karrieriste, duke ua veshur atyre qëllimet kinse fetare, është gjynah. Shfrytëzimi i një feste filmi, që më gjithë prapaskenat e këqija që mund t’i ketë, përpiqet të sjellë pak "degjenerim artistik” nuk e prek e nuk e nguc fenë, aq më pak të realizohet me synime të pastra kundër islamit, kundër kombit a kundër vetë shqiptarëve, dhe kjo sidomos në një qytet me rrënjë të forta fetare. Si mundet atëherë një festival njëjavor ta tundë e ta rrënojë këtë besim?
E dimë mirë secili prej nesh se cilën histori kemi pasur, siç e dimë mirë edhe se shumë herë është bërë luftë e egër dhe e ndyrë mes nocioneve orient e oksident, për përkatësinë a mospërkatësinë ndaj njërit e tjetrit. Por, ata që i jepen fesë, duke ia dhënë veten krejtësisht, duke qenë të gatshëm t’ia kushtojnë kohën, energjinë dhe të gjitha përpjekjet e synimet vetëm asaj, atëherë pse shqetësohen për mënyrat e të jetuarit dhe festuarit të të tjerave? Për artin e ‘dreqit’ e për çdo gjë të kohës, të cilat asnjë fe e ideologji s’mund t’i fshijë, së paku jo në një vend të lirë e demokratik, siç është po ashtu thelbësore edhe zgjedhja e lirë. Në vend të kësaj, pse këta hoxhë e baballarë të fesë, nuk përpiqen ta bëjnë fenë pak më atraktive e më të afërtë për ne…
E deri atëherë ne do të vazhdojmë ta ndjekim dhe t’i gëzohemi... "Dokufestit” e ‘festave’ të tjera. Si çdo vit.
Te nderuar komentues! Duke mos dashur te cenojme opinionet tuaja, lutemi qe ato te mos permbajne fyerje dhe ofendime personale dhe te kene lidhje me shkrimin, apo temen per te cilen komentohet. Ne te kundert, nuk do te publikohen. Ju falenderojme qe na ndiqni dhe ju ftojme te vazhdoni te jeni pjese e Ks-Dardania. comments powered by Disqus