Main » 2012 » Korrik » 21 » Hija e të qenit një tjetër
4:56 PM
Hija e të qenit një tjetër
Beqë Cufaj


Mund të numërohen me gishtërinj shkrimtarë që e kanë shënuar dhe përcjellë shekullin e kaluar ashtu siç një gjë të këtillë e bëri shkrimtari i madh francez me nënshtetësi amerikane, Julien Green (1900-1998). Vetmia, individualiteti, vëzhgimi nga një kënd mëse privat, seksualiteti, religjioni dhe të qenit "një tjetër" janë obsesionet dhe kanunet letrare që ky shkrimtar për tetë dekada me radhë shkruajti, botoi dhe ofroi e ndau me lexuesit e tij. Edhe një dekadë pas fillimshekullit në të cilin rrëmbyeshëm jemi futur, secili prej nesh do ta ketë të vështirë, pse të mos themi, të pamundshme të shikojmë anash pa i shfletuar 16 romanet, 5 pjesët teatrore, qindra tregimet dhe esetë e tij, si dhe veprën madhështore- njërën nga kryeveprat e shekullit të kaluar, "Ditarin” e tij i cili është i shkruar në 16 vëlime që përfshijnë 75 vite të shkrimtarit, intelektualit dhe njeriut Julien Green. 

Si bir i prindërve amerikanë, i lindur në Paris, më 6 shtator të vitit 1900, qysh në moshën 26-vjeçare me botimin e romanit të tij të parë "Mont-Cinere" dhe deri në moshën 94- vjeçare kur botoi romanin e tij të fundit "Dixie", Green pushtoi zemrat e miliona lexuesve anekënd botës. Edhe pse me prindër dhe me këtë edhe prejardhje amerikane, Green ka shkruar gjithë jetën në gjuhën franceze. Autori i madh francez dallon nga kolegët e tij të njohur të gjeneratës jo vetëm pse përmes "Ditarëve" të tij fliste-shkruante gjithmonë haptazi për të gjitha dhembjet që e përcillnin shekullin e shkuar, për luftërat botërore vetshkatërruese e ideologjike, por ai ishte edhe shkrimtar i cili gjithmonë ka shkruar në veten e parë për personalitetin e tij, përfshirë këtu edhe pranimin e tij të hapur para lexuesit për homoseksualitetin, vetminë, dëshirat dhe dëshpërimet.

Këtë ngarkesë të cilën e kishte shikuar si të tillë për herë të parë kur kishte bërë udhëtimin në vendlindjen e prindërve të tij në Jugun e thellë të SHBA-ve në moshën 22-vjeçare, Green e tejkaloi shumë shpejtë sepse ai udhëtim i famshëm atij i shërbeu që t’i qaset temës së përjetshme, asaj të të qenmit një tjetër Greeen, një tjetër njeri. Gjë kjo e cila shihet jo vetëm në ditarët e tij por edhe në romanet e famshme siç janë "Leviathan", "Adrienne Mesurat", "Gjumi i tjetër", trilogjia "Nga vendet e largëta", "Çdo njeri në natën e tij" apo edhe pjesët teatrore "Jugu", "Hija", "Armiku" e kështu me radhë.

Thash edhe më lartë që Green është shkrimtar i cili në librat e tij nuk e fsheh obsesionin e të qenmit një tjetër, lajtmotiv ky i cili atë e përcjell si një hije, një hije e vdekjes, dashurisë e religjionit.

Personazhet e librave të Greenit u ngjajnë figurave antike me karakterin mitologjik dhe prapavinë e kohërave moderne, kohërave të shpejta dhe çmendura të cilat në shekullin e kaluar lëviznin dhe ecnin gjithmonë aq marramendshëm shpejtë, saqë këto karaktere e bënin lexuesin e entusiasmuar... që thjesht të mos ndahej dhe mos ndahet nga asnjë rresht i shkruar.

Pikërisht përgjatë këtyre lëvizjeve të vulosura nga luftërat politike, personazhet e Greenit i karaketerizon ajo që quhet thellësi psikologjike e njerëzve të tij që nuk janë në qendrat vendosëse siç mund të jetë Parisi, Londra, Berlini apo Neë Yorku. Jo. Personazhet e Julien Greenit janë njerëz të provincave të thella franceze që ballafaqohen me priftërinjtë provincialistë, marrëdhëniet familjare e erotike, perverzitetin e përshkuar nga dhuna njerëzore e shkaktuar nga hermetizmi që provinca (dhe çdo gjë është provincë- na mëson Green!) ofron.

Kritiku i madh anglez Ëalter Benjamin duke lexuar librat e Greenit me të drejtë e krahason atë me Marcel Proustin dhe e porosit lexuesin europian dhe botëror që Green e jep anën tjetër të medaljes së shekullit që lamë prapa, atë të konfrontimit të individit me realitetin e hidhur të tragjedive europiane.

Julian Green ka qenë një vetjak i tërherqur thellë në vetminë e tij. Sidomos vitet e fundit të jetës ai i ka kaluar në një apartament mondan në mes të Parisit. Ai nuk ka pranuar për dekada të tëra të paraqitet para mediave apo të bisedojë me gazetarë. E përjavshmja gjermane me renome "Die Zeit" në numrin e saj të parafundit në faqet e fejtonit botoi një tekst të gjatë të djalit të adaptuar të Greenit, Jean-Eric Green, i cili rrëfen për ditët e fundit që i kaloi në banesën e veshur me petk vencecian në Paris, me babain e tij.

S’ka dyshim: është ky rrëfimi më i thellë për "anën tjetër" të jetës së shkrimtarit, anën private, ritualin e tij të shëtitjeve të vogla, orarin e tij të punës nga orët e hershme të mëngjesit deri në orët e vona të natës. "Babai im nuk ka pasur kurrë frike nga vdekja. Për të vdekja gjithmonë ishte një proces i paikshëm, vetëkuptueshëm, dhe pikërisht për këtë shkak edhe do ta admirojë tërë jetën time, sepse edhe në çastet e fundit të jetës së tij, ai nuk u luhat para këtij qëndrimi", shkruan mes tjerash Jean- Eric Green, për 13 gushtin e vitit 1998, ditë kjo në të cilën "shkrimtari i ‘Fin De Siecle’ të ri" (Ëalter Benjamin) dha shpirt, për të na përcjellë me hijen dhe veprën e tij edhe këtë shekull.
Views: 334 | Added by: ksdardania | Rating: 3.0/1

Te nderuar komentues! Duke mos dashur te cenojme opinionet tuaja, lutemi qe ato te mos permbajne fyerje dhe ofendime personale dhe te kene lidhje me shkrimin, apo temen per te cilen komentohet. Ne te kundert, nuk do te publikohen. Ju falenderojme qe na ndiqni dhe ju ftojme te vazhdoni te jeni pjese e Ks-Dardania.
comments powered by Disqus