Main » 2012»Shkurt»7 » JO në mbrojtje të Albinit – PO në mbrojtje të Lirisë
12:04 PM
JO në mbrojtje të Albinit – PO në mbrojtje të Lirisë
Ismet Kryeziu
Jeta dhe angazhimi i secilit qytetar të Kosovës, i është dedikuar lirisë së saj. Veçanërisht mosha e mesme, është rritur me kërkesat për liri, pavarësi, demokraci. Jo rastësisht këto tre kërkesa paraqesin tre koncepte, të asaj më sublimes, lirisë qytetare, bërjes së shtetit të Kosovës dhe pluralizmit politik mbi bazën e demokracisë. Cili është mesazhi që deputeti i PDK-së, Bekim Haxhiu u dha qytetarëve të Kosovës, nga foltorja e Kuvendit? A thua me të vertetë ka njerëz aq naiv sa ta besojnë fabrikimin e tij konspirativ se Albin Kurti na qenkësh tradhtar, bashkëpunëtor i sigurimit të Millosheviqit, etj.? Unë kujtoj që këto fjalë nuk i beson më askush, qofshin edhe të vërteta, ngase, më shqetësuese për mua edhe për qytetarët kosovarë janë tre mesazhe krejt të tjera që i "shiti” në publik deputeti Haxhiu. Fjalimi i tij në Kuvend, prezantimi i tij në Interaktiv të KTV-së, konferenca e tij për shtyp e së dielës, afatet kohore ultimative të tij në adresë të Albin Kurtit si dhe pyetjet e "famshme”, për suxhukun, qeben, letrën e vajzës së një ish ministri të Millosheviqit dhe një grua serbe vizitore, në fakt nuk ishin pyetje për Kurtin por ishin në fakt përgjigje së çfarë shteti po synon të ndërtojë PDK-ja.
Deputeti Haxhiu më ktheu memorien edhe një herë në tre kërkesa fundamentale, liri, pavarësi, demokraci; tre kërkesa që më përcjellin gjatë gjithë jetës sime e siç po duket do t’i përcjellin dhe fëmijët e mi. Në të vërtetë ku kemi arritur si popull? Kosova aktualisht është një shtet i brishtë, me institucione të kapura nga bashkëpunimi i politikës me krimin e organizuar, me një pluralizëm partiak-klientelist e aspak të bazuar në standarde demokratike, me parti politike që organizojnë polici sekrete. Kosova po e përjeton lirinë për t’u ushqyer (megjithëse jo të gjithë dhe jo dinjitetshëm) por jo lirinë për të menduar dhe për t’u shprehur.
Nga zyret e grupit parlamentar, nën siglen e partisë në pushtet, po shfletohen dosje sekrete e në bazë të tyre po akuzohen kundërshtarët politik, që synojnë marrjen e pushtetit. Akuzat e Haxhiut në formë pyetjesh krijojnë shumë dilema mbi sigurinë qytetare dhe janë tregues të kulturës së sekretit sipas traditave më të pështira të sistemeve totalitare, diskriminuese dhe çnjerëzore, të cilat sisteme shkatërruan qenien njerzore, qytetërimin dhe kulturën e popujve. Sisteme totalitariste që derivonin pushtet, të cilit nuk i dihej as ku i buronte e as ku i përfundonte fuqia shkatërruese, kryesisht për shtypjen e popujve të tyre.
Hipotetikisht, Kosova paska një apo disa liderë partiakë që na qenkan bashkëpunëtorë të shërbimit sekret serb, nga koha e Millosheviqit por edhe kjo e Tadiqit dhe këta liderë lirshëm bëkan politikë nga nivele vendimmarrëse, e që mund ta influencojnë politikën kombëtare të Kosovës në njëqindvjetshin e ardhshëm, pozitën gjeopolitike të saj. Nëse ndërtimi i shtetit të Kosovës është i ekspozuar nga politikanë të tillë, atëherë shtrohet pyetja logjike: çfarë është duke bërë Kuvendi, çfarë Qeveria e çfarë është duke bërë Presidenca? E Policia e Kosovës, çfarë po bën, pos "zbulimit” të suxhukut në bagazhet e qytetarëve? {çfarë është duke bërë Agjencia Kosovare e Inteligjencës, media, shoqëria civile…? {çfarë janë duke bërë pra qytetarët e Kosovës për shtetin e tyre?
Kush ua heq dilemat qytetarëve kosovarë se liderët e tyre politik nuk janë dorë e zgjatur e Serbisë, e interesave të saj në Kosovë? Kush i garanton qytetarët se i tillë qenka vetëm një Albin, i piketuar në këtë rast për të dhënë mesazhe krejt tjera; kush ua largon shqiptarëve të Kosovës dronë se "treshet” e ilegales kosovare nuk paskan qenë të krijuara nga UDB-ja, e si pasojë kush garanton sot se të burgosurit politik nuk janë "përpunuar” nga UDB-ja? Kush e bëri Kosovën shtet, kush po udhëheqë me të? A u bë Kosova shtet nga shërbimet Serbe dhe a po "projektohet” politika kosovare nga shërbimet sekrete serbe?
Nëse politika Kosovare e orienton debatin politik në akuza e kundërakuza për tradhti dhe bashkëpunëtorë të shërbimeve sekrete serbe, atëherë jemi duke nxitur urrejtje qytetare e cila mund të cilësohet si një luftë verbale civile, për ta rritur potencialin dhe rrezikun e një lufte të vërtet civile.
Për qytetarin mesatar, në këtë mjegull politikash, pyetja se çfarë shteti dhe çfarë sistemi shtetëror po ndërtojmë është legjitime. Sistem Parti-shtet, ku institucionet janë të kapura nga partia në pushtet, nga parapolitika dhe organizatat klandestine, ku secili mund të përgjojë e të vëzhgojë tjetrin dhe secili mund të përgjohet e vëzhgohet nga tjetri, ku askush më nuk i beson askujt, e në fund, të gjithë i nënshtrohen partisë dhe pushtetit të sajë të pakufishëm.
A mund t’i përgjigjet ndonjë institucion shtetëror, p.sh. AKI-a, pyetjes legjitime të qytetarit: Nga kush përcillem unë si shtetas i Republikës së Kosovës, shtetit nominalisht demokratik?Kur dhe kush do t’i publikojë "të dhënat për mua”, si rezultat i përgjimit, kush, cili prokuror ose gjyqtar hetues jep urdhër për përgjimin tim? Kujt i raporton policia e Kosovës, se kë e kam pasur bashkudhëtar në veturën time, çfarë suxhuku kam ngrënë e çfarë vere kam pirë, a jam i mbuluar apo i shpluar, i zhveshur apo i veshur?Kujt i raportojnë kompanitë e telefonisë mobile dhe fikse, kujt ia japin bisedat e zbardhura që mund t’i kem bërë me këdo qoftë? Cili qytetar dhe me ç‘të drejtë më përgjon, më ve prapa, më survejon dhe kujt i raporton ai bashkëqytetar imi? {farë bën AKI-a nëse unë cenoj interesat e shtetit dhe kujt i raporton ajo!?.
Kur do t’i publikojë këto të dhëna të agjencisë shtetërore partia në pushtet, kur qytetari i survejuar të hyjë në konkurrencë politike ose ekonomike me ‘bossat’ e partisë në pushtet, apo edhe kot së koti, për të mbjellë pasiguri dhe frikë tek të gjithë qytetarët njëkohësisht. Po kur do ta shëndrron partia në pushtet Kuvendin e Kosovës vend të kryqëzimit për mua, qytetarin apriori të fajshëm të Kosovës.
Tradita demokratike dhe kultura plurale politike në Kosovë janë në fazën fëmijërore, por jo dhe aq sa debati politik të jetë irrituese, frikësues dhe të marrë përmasa të humbjes së sigurisë dhe besueshmërisë së qytetarëve ne shtetin e tyre dhe vlerat e shoqërisë që mëtohet të ndërtohen në këtë vend. Kultura e debatit duhet të reflektojë qytetari e tolerancë, duke u mbështetur në traditat më të mira që ka një popull e natyrisht edhe duke mësuar nga kulturat dhe traditat e popujve të qytetëruar. Tani kur jemi në themelim e sipër të një tradite politike demokratike, institucionale dhe shtetërore, kemi mjaft mundësi dhe përparësi të mësojmë nga demokracitë e mëdha, që janë afër nesh, me ne. Modeli partia-shtet mund t’i kënaq orekset e ndonjë tipi me shumë vullnet për fuqi sot, por nesër e gërryen deri në palcë vet idenë e shtetit. Prandaj është e domosdoshme që të ngrihemi në nivelin e demokracive të zhvilluara ku shteti është servis i qytetarit, e jo qytetari vegël e shtetit.
Ky lloj shteti nuk i vyen qytetarit, sepse ia uzurpon lirinë, që është virtyt dhe vlerë, individuale dhe shoqërore, mbi të gjitha vlerat.
Partitë politike duhet të jenë krijuese të traditave demokratike nga brenda dhe rezistuese ndaj tentativave bastarduese të shantazhit dhe politikave eliminuese.. Këto gabime dhe lajthitje nuk duhet të lejohen nga institucionet shtetërore por edhe duhet të refuzohen nga tërë shoqëria. Jo të shfrytëzohen institucionet për t’u veshur me fuqi individë e grupe parapolitike, joformale, sepse shoqëria kosovare rrezikon që më dekada të merret jo me përparimin e hovshëm të shtetit ligjor e të mirëqenies ekonomike por me shërimin e shtetit.
Te nderuar komentues! Duke mos dashur te cenojme opinionet tuaja, lutemi qe ato te mos permbajne fyerje dhe ofendime personale dhe te kene lidhje me shkrimin, apo temen per te cilen komentohet. Ne te kundert, nuk do te publikohen. Ju falenderojme qe na ndiqni dhe ju ftojme te vazhdoni te jeni pjese e Ks-Dardania. comments powered by Disqus