Main » 2012 » Janar » 20 » ‘Katër-pikshi’ - shmangie apo cenim i rendit kushtetues të Republikës së Kosovës
11:26 PM
‘Katër-pikshi’ - shmangie apo cenim i rendit kushtetues të Republikës së Kosovës
Ma.Sc. Flamur Hyseni & Ma.Sc. Florent Muçaj


Ndërtimin e këtij opinioni po e nisim mbi bazën e "prejudikimeve”, "supozimeve” ndoshta edhe "paragjykimeve të mundshme”, jo pse i dëshirojmë të lartpërmendurat, por që realiteti nganjëherë imponon nisjen përmes tyre, në mënyrë që të vërtetohet. Bazuar në disa "indice” (të thëna), të medieve vendore dhe atyre ndërkombëtare, kohët e fundit ka qarkulluar me të madhe informacioni për një dokument, të ashtuquajtur "4 pikshi”, të propozuar nga ana e Presidentit Serb, Boris Tadiq. Ky dokument, (gjithnjë në bazë të asaj që është thënë në media, përfshirë edhe ato serbe), "na paska” katër pika, mbi bazën e të cilave edhe është konceptuar dhe ndërtuar. Si qytetarë të Republikës së Kosovës, natyrisht jemi kureshtarë të dimë "përmbajtjen” e këtij dokumenti, se çka ofron i njëjti për Republikën tonë, e cila po ndërtohet suksesshëm.

Ato që deri më tani i dimë të gjithë, janë pikërisht çështjet kryesore, që janë katër (ndoshta pikërisht për këtë arsye quhet edhe 4-pikësh): E para mbrojtja e manastireve të trashëgimisë serbe; e dyta gjetja e zgjedhjes për veriun e Kosovës e treta mbrojtja e patundshmërisë; e katërta siguri për serbët që jetojnë nëpër komunat me shumicë serbe. Të gjitha këto të ashtuquajtura, "4 pika”, zgjedhjen e tyre e kanë në Pakon e Ahtisaarit, e cila edhe i ka vënë themelet e shtetit të Kosovës. Në këtë kontekst shtrohet pyetja, çfarë na duhet një dokument alternative kur që të katër këto çështje, kanë zgjidhjen e tyre dhe e njëjta dihet mirëfilli. Republika e Kosovës ka akceptuar Pakon e Ahtisaarit edhe me deklaratën e pavarësisë, është zotuar që do ta zbatojë dhe e ka bërë një gjë të tillë mjaft mirë deri më tani! Së këndejmi, çfarë na duhet një dokument me të vërtetë alternativ. Më parë qarkullonte ideja për nja "Ahtisaari Plus” dhe tani sikur kjo terminologji është zbutur, në "4 pikësh”. Problemi mund të qartësohet më mirë në qoftë se, karshi këtyre katër çështjeve (pikave), ngiten paralele me atë që ofron Plani Ahtisaai, konkretisht Republika e Kosovës për Serbët që jetojnë në të.

Mbrojtja e Manastireve të Trashëgimisë Serbe!

Aneksi i pestë i Pakos së Ahtisaarit, ka rregulluar në mënyrë mjaft detaje çështjen e Trashëgimisë Kulturore. Me të drejtë Profesori Arsim Bajrami, duke folur për këtë aneks, konkretisht aneksin e pestë, që titullohet "Trashëgimia Kulturore dhe Fetare”, thotë: "se këtij aneksi është më mirë ti referohemi si "Trashëgimia Kulturore Fetare Serbe”, sepse në brendi flet vetëm për Kishën Ortodokse Serbe dhe për asgjë tjetër” (Dr.Arsim Bajrami, "Sistemi Kushtetues i Republikës së Kosovës”, fq 106). Në fakt, ky aneks, ka ofruar jashtëzakonisht shumë për serbet, dhe mos të harrojmë, gjithçka që i njëjti ka ofruar, Republika e Kosovës, është shprehur e gatshme dhe e ka implementuar, rasti i fundit lidhet me gatishmërinë për t’i çuar tutje ligjet për Hoqën e Madhe dhe Qendrën Historike të Prizrenit. Tani na del çështja, çka mund të kërkojë përtej kësaj që ofron Plani Ahtisaari dhe infrastruktura ligjore e Republikës së Kosovës (Ligji për zonat e mbrojtura) por edhe Kushtetuta, ky dokument 4 pikësh? Natyrisht që në këtë rrafsh vetëm mund të "prejudikojmë” ,"paragjykojmë” dhe "supozojmë”, ashtu siç e thamë në fillim. A nuk mjaftohen serbët me atë që ju ka ofruar shteti ynë: një numër të madh të manastireve; privilegje dhe imunitet për klerikët; lehtësime tatimore për klerikët; sakrifikim të territorit duke i ofruar sipërfaqe të mëdha rreth manastireve; sigurinë e manastireve. Me të vërtetë është për tu habitur, vetëm nëse imagjinohet fakti se çka mund të ofrosh më shumë sesa ajo që kemi ofruar?!

Përveç kësaj që u tha, është i rëndësishëm fakti që të gjitha këto manastire janë nën administrimin e Kishës Ortodokse Serbe. Pikërisht shteti i cili kërkon edhe më shumë për Zonat e Mbrojtura, (më mirë të thuash, super të mbrojtura), shpesh herë ka ditur edhe të keqpërdorë qëllimin e këtyre zonave, apo të mirën që i ka dhënë Republika e Kosovës! Shpesh herë kemi parë zyrtar Serb duke "lansuar” deklarata politike, në vizitat e tyre të bëra gjoja për qëllime fetare. I fundit i cili e ka bërë një gjë të tillë ka qenë saktësisht presidenti serb Tadiq, ideatori i këtij dokumenti. A nuk është mjaft kjo? Apo a nuk është e mjaftueshme që në kuadër të zonave të mbrojtura të administruara nga Kisha Ortodokse Serbe, janë futur edhe vende që përfaqësojnë kulturën dhe traditën e Shqiptarëve siç janë: Ujëvara e Mirushës; Kompleksi Memorial i Isa Buletinit; Qyteti mesjetar i Novobërdës (Artanës); Gazemistani; Ura e Gurit në Vushtrri (e cila tani mban emrin e një "heroi” serb).

Me të vërtetë nuk ka dileme që është vështirë të paramendohet, se çka mund të ofrosh tjetër në lidhje me këto zona (manastire), sepse gjithçka që bëhet në këtë drejtim, përveçse do të thotë shmangie por ndoshta edhe shumë më shumë, për rendin tonë Kushtetues që e kemi ndërtuar dhe po vazhdojmë ta zhvillojmë me mjaft mund. Me të vërtetë, diçka përtej kësaj do të ishte e pakuptimtë, duke përkujtuar, shteti serb ka qenë ai që nuk ka shfaqur gatishmëri, për të implementuar si duhet atë që ka ofruar Pakoja e Ahtisaarit, por gjithnjë partneritetin po e kërkon në rrugë të tjera, përtej asaj që duhet dhe është e mundur!

Komuna veriore e Mitrovicës – zgjidhje për veriun!

Ndërlidhur me Propozimin Gjithëpërfshirës për Zgjidhjen e Statusit të Kosovës të 27 marsit 2007 të Presidentit Ahtisarit – "Pakoja e Ahtisarit”, del se Republika e Serbisë në raport me Republikën e Kosovës nuk ka zbatuar obligimet që dalin nga Pakoja, kjo e përfshin se Serbia po përdor edhe aplikimin e masave dhe shfrytëzimin e grupeve kriminale në veri të Republikës së Kosovës për ta ndaluar çdo proces në veri e edhe themelimin e Komunës në veri që parashihet me Pakon e Ahtisarit (shih Pakon e Ahtisarit, Aneksi III, Decentralizimi neni 13). Ofertat e tilla politike të Presidentit Tadiq të cilat shkojnë për tej realitetit kushtetues dhe politik e të thirrura në parime kushtetuese do të thotë një tendencë për ndërhyrje në sistemin kushtetues të Republikës së Kosovës dhe mbajtje gjallë të dinamikës politike shtetërore të Republikës së Serbisë në arenën ndërkombëtar. Në aspektin e stabilitetit politik dhe të sigurisë Republika e Kosovës mund të ofrojë zgjidhje stabile për veriun vetëm duke u mbështetur në kompromisin e madh "Pakon e Ahtisarit”, por në asnjë formë tjetër zgjidhje politike që propozon Presidenti serb Tadiq, i cili situata të tilla mundohet t’i aplikojë për ta mbajtur gjendjen politike statike dhe për ta futur faktorin ndërkombëtar në "lojëra politike” që shkojnë në favorin e politikës që ai përfaqëson.

Presidenti serb Tadiq, paraqet një ofertë politike për zgjidhjen e problemit polik në veri siç e quan ai, ndërsa atje kemi të bëjmë me ekzistimin e strukturave kriminale që pengojnë zhvillimin e proceseve shoqërore, ekonomike - politike normale, këtë po e ofron tani, sepse nuk funksionoi plani i tyre destabilizues për ta provuar me ndërhyrjen e njësisë speciale të Policisë së Kosovës në veri më 25 korrik 2011, e cila u përkrah nga faktori ndërkombëtar pikërisht atëherë kur Tadiq dhe udhëheqja e shtetit serb po prisnin se do të kundërshtohej nga bashkësia ndërkombëtare kjo ndërhyrje dhe tani po Presidenti serb Tadiq del me një ofertë kinse për ta gjetur zgjidhjen e të ashtu quajturës "çështje të veriut”, këtë e bënë duke ju shmangur "Pakos së Ahtisarit”, madje shkon edhe përtej saj dhe dëshiron edhe njëherë t’ia ofrojë bashkësisë ndërkombëtare një ofertë, e cila në aspektin politik i bie sa për të blerë kohë dhe për të qenë në kontinuitet me zhvillimet e raporteve ndërmjet Republikës së Kosovës dhe bashkësisë ndërkombëtare, sepse tanimë edhe vet Tadiqi, por edhe politika shtetërore serbe e dinë se nga oferta të tilla vështirë se do të ketë diçka favorizuese për Serbinë.

Po ashtu tani Presidenti serb ofron edhe zgjidhje të modelit të dy Gjermanive dhe nga kjo synon nga "asgjëja” të nxjerr një "mini shtet” brenda shtetit të Kosovës, dhe shembujt tjerë si të Tirolit Jugor, Ishujve Oland, madje edhe modelin Irlandez, sepse tani planet e mëhershme e kanë humbur rëndësinë dhe shteti serb në raport me faktorin ndërkombëtar momentalisht gjendet në një relacion krejt tjetër me atë të para 25 korrikut 2011. Ofertat e tilla politike dhe tendencioze tanimë para faktorit ndërkombëtar nuk janë serioze, sepse Serbia e ka humbur përkrahje edhe propozime për zgjidhje të përkohshme bashkësia ndërkombëtar nuk do të pranojë, jo për faktin se nuk i përshtaten Republikës së Kosovë, por se nuk i përshtaten vet bashkësisë ndërkombëtare.

Problemet pronësore të qytetarëve serb!

Në kuadër të katër pikave të Presidentit serb Tadiq, e edhe të shumë pikave tjetra jo publike është edhe ajo që ai që ndërlidhet me zgjidhjen e problemeve pronësore të qytetarëve serb të Republikës së Kosovës, si propozim se përmes kësaj zgjidhjeje me katër pika do të zgjidhet çështja e veriut. Kjo nuk mund të qëndrojë se Serbia e ka humbur më seancën që ta luaj rolin e zgjidhësit të problemeve, sepse vet është palë e "problemit” dhe bashkësia ndërkombëtare më nuk do të lejoj propozime të tilla me arsyen se ne (pala serbe) po duam të gjejmë zgjidhjen, por ata nuk po duan (pala kosovare). Duke e futur në kuadër të "katër pikëshit” edhe çështjen e pronave të qytetarëve serb të Kosovës, Tadiq dëshiron të krijoj problem të ri, se nëse e hap problemin e pronave natyrisht se do të ketë një mori problemesh lidhur me këtë dhe dëshiron që përmes kësaj forme të krijoj statuse speciale për pronat e qytetarëve serbë, me arsyetimin se ato mund të shfrytëzohen nga dikush tjetër, por edhe kjo do të jetë shumë jo serioze para bashkësisë ndërkombëtare. Garancionin për pronat e serbëve, e sqaron mjaft mirë, aneksi i gjashtë dhe ai i shtatë i Pakos së Ahtisaarit. Përtej kësaj, përderisa kërkohet "ruajtja e pronës serbe në Kosovë, shteti serb duhet të rikujtojë presionet e vazhdueshme që lidhen me shitjen e pronave të shqiptarëve, në pjesën veriore të Mitrovicës dhe komunave të tjera. Është e paqartë, se si mund të kërkohet sigurimi i pronave, kur qytetarët serb të njëjtat i kanë shitur me vullnetin e plotë të tyre, madje disa edhe nga katër herë.

Garancia për sigurinë e serbëve që jetojnë në Republikën e Kosovës!

Sa i përket garancisë së serbëve, s’ka fije dyshimi që Republika e Kosovës është treguar mjaft zemërgjerë, sikur kur bëhet fjalë për pozitën e komunitetit Serb ashtu edhe çështjen e sigurisë dhe garantimit të të drejtave të tyre. Përveç kësaj Republika e Kosovës, ka mundësuar kthimin e efektshëm të të gjithë të zhvendosurve serb, duke ju ofruar kushte për jetesë, por njëkohësisht edhe garancinë për sigurinë e tyre, në drejtim të realizimit të të drejtave të tyre. Së këndejmi kjo është edhe garanci kushtetuese, neni 58, paragrafi 3 i Kushtetutës së Republikës së Kosovës shprehimisht thotë: "Republika e Kosovës do ti ndërmarrë të gjitha masat për ti mbrojtur personat të cilët mund ti nënshtrohen kërcënimeve ose veprimeve diskriminuese, armiqësisë e dhunës, si rrjedhojë e identitetit të tyre kombëtar, etnik, kulturor, gjuhësor e fetar”. Siç shihet në këtë paragraf të Kushtetutës, mjaft qartë është garantuar edhe siguria e komuniteteve, përfshirë edhe atë serb.

Në interpretimin e kësaj dispozite, shtrohet pyetja se cilat veprime janë ato që do ti ndërmarr qeveria, për të mbrojtur komunitetet?! Natyrisht ato veprime, që qojnë në realizimin e të drejtave të garantuara të komuniteteve. Në këtë paragraf, përdoret fjala, "kërcënimeve apo veprimeve diskriminuese”, kjo i bie që Republika e Kosovës, e ka vendosur në kategori kushtetuese çështjen e sigurisë së komuniteteve tjera dhe atij serb. Përveç këtyre garancionëve kushtetuese, Republika e Kosovës është angazhuar edhe për ofrimin e garancionëve faktike, të cilat na çojnë në implementimin e kësaj dispozite kushtetuese.

Mekanizmat relevant që janë përkujdesur për ofrimin e sigurisë, në këtë rast të serbëve, kanë qenë KFORI dhe Policia e Kosovës, sidomos një gjë të tillë e kanë bërë efektivisht dhe aktivisht në komunat me shumicë serbe, të krijuara në bazë të Pakos së Ahtisaarit. Rreth çështjes së sigurisë, madje Sistemi ynë kushtetues ka ofruar një pjesëmarrje aktive të komuniteteve në organet e sigurisë përfshirë këtu: Policinë (Komunat me shumicë serbe kanë të drejtë ti zgjedhin vetë komandantët e policisë); Agjencionin Kosovar të Inteligjencës; Forcën e Sigurisë së Kosovës. Përkitazi me këtë , është vështirë të thuash, se për çfarë dimensione të tjera të sigurisë mund të flitet, kur vetë komunitetet (me theks të veçantë serbët, janë pjesë aktive e organeve të sigurisë dhe njëherit participues në sistemin e sigurisë). Mund të tingëllojë çuditshëm fakti se si mund të kërkohet siguri (sigurisht shtesë) , për serbët, kur ata vetë e përbëjnë këtë sistem. Kjo paraqet një tendencë për të mohuar atë që e ke, në përpjekje për të marrë për shumë, si të tilla këto tendenca nuk shpërfaqen të mira.

Natyrisht që të gjitha këto që u thanë më lartë duhet të përmbyllen, mbi bazën e disa përfundimeve të caktuara, që lidhen me temën bosht të çështjes. Republika e Kosovës, ka dhënë jashtëzakonisht shumë, përfshirë edhe në aspektet e ngritura më lartë, në këtë kontekst, duke e ditur që deklarata e pavarësisë, mbi bazën e të cilës, kemi marrë obligimet nga Pakoja e Ahtisaarit, një qasje ndryshe përtej asaj që na kërkon ky plan, do të thoshte shnangje nga rendi jonë kushtetues. Përveç kësaj, duke u bazuar në faktin që një pjesë e Pakos së Ahtisaarit, është bërë pjese e Kushtetutës së Republikës së Kosovës, një qasje ndryshe në anën tjetër do të thotë cenim të rendit kushtetues. Katër pikshi i Presidentit serb fillimisht nuk u përkrah as nga bashkësia ndërkombëtare, ndërsa nga Ambasadori britanik u kushtëzuar për tu përkrahur, vetëm atëherë kur Serbia të ndikojë te bandat kriminale që t’i largojnë barrikadat në veri. Kjo i bie se edhe tentativa e fundit politiko – diplomatike e Presidentit serb nuk po del e pranuar nga bashkësia ndërkombëtare (shih lajmet e tri ditëve të fundit në mediet kosovare, të shkruara dhe elektronike).

Përmes këtyre pikave, shteti serb e ka edhe tentimin e radhës dekonstruktiv në aspektin politik, por që kësaj here më të butë dhe me ngjyrë më diplomatike dhe joshëse, sepse dihet që i duhen disa propozime dhe përpjekje radhazi për tu arsyetuar para popullit të tij dhe bashkësisë ndërkombëtare se ja po përpjekim për zgjidhje, por dihet edhe fakti tjetër se politika serbe zhvillohet edhe me mjaft emocione për të kaluarën dhe këto arsyetime do ti shërbejnë shumë se si kur asnjëherë më parë është shumë afër vet propozimit i cili edhe mbështetet nga bashkësia ndërkombëtare që ta njoh pavarësinë e Republikës së Kosovës. Një katër pikësh, eventual, që shihet si dokument alternativ, në parim përbën një shmangie nga Pakoja e Ahtisaarit, dhe kjo do të thotë shmangie nga rendi kushtetues i Republikës së Kosovës. Së këndejmi, shmangja prodhon edhe cenimin e rendit kushtetues. Kjo mund të shkojë edhe më larg, që një katër pikësh eventual, të shihet si Ahtisaari Plus, për tërë territorin e Republikës së Kosovës. Përfundimisht është i panevojshëm një dokument alternativ që është në përputhje me Pakon e Ahtisaarit (siç është thënë në media), kur ne kemi Pakon e Ahtisaarit si alternativë të vetme.
Views: 214 | Added by: ksdardania | Rating: 4.0/1

Te nderuar komentues! Duke mos dashur te cenojme opinionet tuaja, lutemi qe ato te mos permbajne fyerje dhe ofendime personale dhe te kene lidhje me shkrimin, apo temen per te cilen komentohet. Ne te kundert, nuk do te publikohen. Ju falenderojme qe na ndiqni dhe ju ftojme te vazhdoni te jeni pjese e Ks-Dardania.
comments powered by Disqus