A thua ku është Edita Tahiri? Çfarë po ndjen ajo kur Serbia po arreston policët dhe qytetarët e Kosovës? Po Bajram Rexhepi? Ministri i fjalëve të mëdha dhe veprave barazi me zero! Tashmë, kryeministri Hashim Thaçi u nis për në Uashington dhe normalisht se "ka punë më të mençura” se të merret me fatin e qytetarëve të vendit të tij!Këto dhe shumë pyetje tjera na bien ndërmend pas asaj fotoje tmerruese dhe të turpshme që publikoi Qeveria e Serbisë dje, kur çarmatosi, lidhi dhe shtriu për tokë policë të Kosovës. Tre xhandarë serbë rrinë me armë automatke mbi kokat e policëve të Kosovës, bash njëjtë sikurse po i rri Serbia mbi kokë Kosovës, në të gjitha aspektet dhe tërë kohën. Me kërcënim, me dhunë, me ndërhyrje direkte, me fuqi prej dhunuesi, me bindje fashiste dhe me sjellje shtazarake. Por, a do ta kuptojnë këta tanët ndonjëherë këtë? A po e kupton Edita Tahiri këtë, bashkë me Bajram Rexhepin e ndonjë tjetër? Që nuk po e kupton kryeministri Thaçi, kjo është e qartë. Ai tekefundit është shefi i të tjerëve që shkojnë pa hezitim të ulen në tavolinën përballë me delegacionin e Qeverisë së Serbisë. Që bëjnë marrëveshje plotësisht kundër interesave nacionale të Kosovës dhe madje me arrogancën e tyre shkelin mbi çdo institucion e vlerë tjetër.
Kryeministri Thaçi, i cili udhëhiqte operacionin e dështuar policor të 25 korrikut 2011, në veri të vendit, ka obligim direkt edhe për pamjen e turpshme që e publikoi Beogradi, me policët kosovarë të shtrirë për tokë dhe xhandarëve serbë që qëndrojnë me armë mbi kokat e tyre. Ai po bën marrëveshje "historike” me Serbinë.
Kjo është Serbia. Me armë mbi kokën e Kosovës. Me kërcënim agresori mbi shpirtin e shtetit të Kosovës. Me ambicie hegjemoniste për të vendosur kontrollin mbi Kosovën, apo ndonjë pjesë të territorit të Kosovës. Me të njëjtën politikë ndaj Kosovës sikurse ajo e Millosheviqit dhe partizanëve të tij të vegjël e të trashë.
Kjo është Serbia. Me shumë fytyra. Një në raport me Bashkimin Evropian. Një fytyrë tjetër në raport me NATO-n. Një tjetër në raport me Rusinë. Një fytyrë tjetër në raport me vendet dhe grupacionet islamiste kudo nëpër botë. Dhe, një fytyrë krejt tjetër në raport me Kosovën, popullin shqiptar dhe serbët kosovarë.
Kjo është Serbia. Nuk duhet pritur asgjë tjetër. Nuk duhet shpresuar se atje paska ndërruar mentaliteti. Nuk duhet gënjyer veten dhe të tjerët se tashmë kemi arritur pajtimin historik midis shqiptarëve të Kosovës dhe shtetit të Serbisë. Pavarësisht se çka na thotë kryeministri Thaçi. Mos i besoni, sepse nuk po e thotë të vërtetën. Saherë që flet për këtë, ai bën deklarata të pabesueshme, joreale, të paqëndrueshme, të pavërteta dhe, mbi të gjitha, fyese. Të fyen mendjen. Të fyen shpirtin. Të fyen qenien.
Kryeministri Thaçi tërë kohën na flet neve se si Kosova dhe Serbia po normalizojnë raportet. Se si marrëveshjet historike në Bruksel (mes Editës dhe Borkos) po ndërrojnë faqet e historisë. Se si Serbia po e njeh sa e sa herë Kosovën si shtet të pavarur e sovran. U pata thënë qeveritarëve njëherë para pak muajsh në foltoren e Kuvendit të Kosovës, se duhet të ndizen fishekzjarrët në Prishtinë, nëse është e vërtetë ajo që po na thotë kryeministri Thaçi dhe zëvendësja e tij Tahiri, se Serbia e ka njohur Kosovën si shtet. Por, as atëherë dhe as tash nuk kam asnjë dilemë: Serbia nuk e ka njohur shtetin e Kosovës, por Thaçi e Tahiri po gënjenjë!
Për më keq, Serbia për çdo moment bën plane dhe veprime se si të shkatërrojë shtetin e Kosovës. Ta bëjë atë jofunksional, të mos lejojë Kosovën të konsolidohet dhe të bllokojë çfarëdo zhvillimi përmes strukturave të saj ilegale të sigurisë dhe inteligjencës brenda territorit të shtetit tonë.
Serbia vazhdon të lobojë në Perëndim kundër Kosovës. Edhe pse e di që Perëndimi është fuqia më e madhe mbështetëse për Kosovën, qeveria e Beogradit nuk po dorëzohet asnjëherë. E të mos flasim për vendet në zhvillim dhe për Botën e Tretë. Lobimi që po bën Serbia nuk është ndalur asnjë ditë që prej shpalljes së pavarësisë së Kosovës, më 17 shkurt 2008. Derisa dogji pikat kufitare dhe doganore në veri të Kosovës, Serbia nuk ndali as dhunën direkte dhe dhunën strukturale mbi qytetarët serbë e shqiptarë të Kosovës.
Por, kjo nuk e kuptua asnjëherë seriozisht nga Qeveria e Kosovës. Edhe ajo që ishte pas shpalljes së pavarësisë, e as kjo që është sot, e që të përbashkët e kanë kryeministrin Thaçi dhe Partinë Demokratike të Kosovës (PDK) si partneri i madh i koalicionit qeverisës.
Kjo është Serbia. Mos pritni asgjë më mirë. Por, fatkeqësisht, duhet thënë se kjo është Qeveria e Kosovës. Mos pritni asgjë më mirë!
(Autori është sekretar i përgjithshëm i AAK-së dhe deputet i Kuvendit të Kosovës)
Te nderuar komentues! Duke mos dashur te cenojme opinionet tuaja, lutemi qe ato te mos permbajne fyerje dhe ofendime personale dhe te kene lidhje me shkrimin, apo temen per te cilen komentohet. Ne te kundert, nuk do te publikohen. Ju falenderojme qe na ndiqni dhe ju ftojme te vazhdoni te jeni pjese e Ks-Dardania. comments powered by Disqus