Si kolumnist "çmendem” pas metaforave. Për shkak të fuqisë së tyre shprehëse. Me një fjalë, e shpreh jo vetëm atë që mendon, por e lë mundësinë që edhe lexuesi të jetë kreativ. Të kuptojë në mënyrën e vet atë që ti ke thënë në mënyrën tënde. Si e keni parë nga titulli, metafora e radhës do të jetë gjarpri. Nëse ju pëlqen krejt këtë ta lidhni me nofka lufte, le të mbetet kjo vetëm si një lexim kreativ nga ana juaj. Ndryshe, gjarpri si metaforë është përdorur mjaft në komunikimin publik dhe me adresime politike, ushtarake, lokale apo (ndër)kombëtare!
Gjarpri ishte produkt i luftës. Emrat e shumë shtazëve, nga më të egrat, nga më të pamëshirshmet, nga më krenaret, apo nga më dinaket, ishin përzgjedhur për nofka nga shumë komandantë. Kishte edhe nofka krejt horror. Për ta trembur armikun. Armikun e brendshëm dhe atë të jashtëm. Shpesh edhe shoku-shokun.
Edhe pse duket se armiku nuk ishte trembur shumë nga këto nofka, e as nga bartësit e tyre, efekti te "armiku i brendshëm” duket të ketë qenë më i fuqishëm. Për njerëzit, të cilët nuk i njihnin personalisht bartësit e nofkave, ata ngjallnin respekt, frikë e nganjëherë madje edhe tmerr. Sidomos pas lufte.
Kur jemi te nofkat, unë për vete, edhe përkundër angazhimit të gjatë konspirativ, nuk kam pasur prirje të përzgjedh për vete nofka shtazësh. Zgjidhja emra më të rrezikshëm. Emra njerëzish.
Në njërin nga burgjet famëkeqe të BeH ishte një edukator boshnjak, apo "vaspitaq”, si e quanin. Ai ishte njëri nga ata që paguhej nga shteti për të na i ndërruar konceptet tona armiqësore ndaj shtetit, për të na riedukuar. Emrin e tij, sot pas më se 20 vjetësh, nuk e kujtoj më. Fundja, çka hyn në punë emri i tij, kur të gjithë pak a shumë ishin të njëjtë dhe me të njëjtën detyrë. Për të na tredhë në tru!
Por, ky ishte interesant për metodën e tij analitike. Ai, karakterin dhe temperamentin e të burgosurve e shpjegonte dhe e klasifikonte duke i krahasuar ata me shtazët. Jo për të keq, natyrisht. Ai i donte shtazët. Ai ishte krenar për analizat e tij. Gjithnjë më përputhen –thoshte ai. Njerëzit edhe shtazët. Si thamë më herët, në këtë relacion analitik mes njerëzve dhe shtazëve, ai respektonte shtazët. Kjo nuk mund të thuhej edhe për njerëzit. I përçmonte.
Ai fliste me aq entuziazëm për shtazët dhe për madhështinë e tyre. Për të gjitha! Por me entuziazëm të veçantë fliste për gjarprin. Gjarpri është një shtazë aq e regjenerueshme –thoshte ai. Mund ta këpusësh në mes me kosë dhe prapë rritet në madhësinë e mëparshme. Në një moment ai e hedh plotësisht lëkurën e vet. Këtë nuk e bën asnjë shtazë tjetër. Vjen tinëz duke rrëshqitur nëpër bar. Ajo që ndien njeriu është veç një thumbim i rrufeshëm dhe një ligështim në trup. Me gjarprin duhet pasur shumë kujdes dhe veç një rregull. Kurrë nuk duhet ta godasësh në bisht. Kurrë!
Kur fliste, sikur e frikësonte veten e tij. Pastaj, kur më shihte duke buzëqeshur, kthehej në realitet. Jo, ti nuk po më përputhesh me teorinë time – më tha një herë në një moment sinqeriteti. Apo, thjesht donte të më provokonte? Të m’i provonte reflekset për të më kategorizuar!
Nuk je kurrkah me shenjën tënde të horoskopit. Asnjë nga shtazët e vetme nuk i përmbledh ato që po i lexoj në raportet zyrtare për ty. E di, më tha, se ne kemi çdo ditë raportime për sjelljen tuaj... dhe për sjelljen tënde. Gjithsesi, kjo ishte gjë që dihej. Gjithsesi, më tepër preferova të mos e komentoja këtë punën e raportimit.
Mes meje dhe armikut kisha vënë një barrikadë, të cilën ai nuk po arrinte ta kapërcente kurrqysh. Kisha vënë një buzëqeshje të kotë.
Ndoshta nuk i keni marrë në konsideratë të gjitha shtazët "zotëri” – ia "voka” bisedën. Nuk është e mundur të jem kaq "jashtë” skemës! Patjetër kujdesesha të mos kem një trajtim të veçantë. Kë e trajtonte veçantë, ai e linte sakat përjetë.
Është një shtazë më e rrezikshme se të gjitha këto që i përmendët, edhe më komplekse – i thashë. Ai u ndreq në karrige plot kureshtje. E, cila qenka kjo? A ka diçka të tillë?
Konsiderojeni njeriun, zotëri – i thashë, mbase kjo shtazë humane mund t’ju befasojë me egërsinë, me butësinë dhe me dinakërinë e vet. Sepse, sfidat e njeriut janë më të llojllojshme se të çdo shtaze, janë secilën herë të ndryshme, prandaj edhe përgjigjet e tij janë të tilla.
Ai shpërtheu në një të qeshur të furishme. Pasi qeshi gjatë dhe me zë të lartë, megjithatë nuk u durua pa më krahasuar me një nga shtazët, e cila sipas tij hynte në radhën e atyre që i konsideronte nga më të rrezikshmet. Megjithatë, ti je një... skile! Edhe pse dukesh si qengj. Harroje horoskopin.
Unë nuk ndihesha aspak si skile! As si qengj. Isha veç një i burgosur që detyrohej të rrinte përballë një burokrati sadist, i cili secilën shtazë të horoskopit e respektonte më shumë se neve. Shtazët nuk ishin metafora për të. Ne ishim metaforat...
Kur jemi te metaforat, këto ditë një kolumnist i kishte vënë në korrelacion marramendës gjarprin dhe korrupsionin. Kishte thënë se gjarpri duhet të goditet në kokë. Pra, po mendonte në korrupsionin. Duke marrë parasysh numrin e komisioneve dhe të ekipeve që merren me antikorrupsion, si dhe nivelin e lartë të tyre, kjo ishte e pritshme. Me të vërtetë u godit në kokë. Koka e (anti)korrupsionit u godit papritmas dhe rrufeshëm. Derisa shefi ishte jashtë. Gati askush nuk po e kuptonte se çka po ndodh. Përse koka e antikorrupsionit të krijuar nga kreu i qeverisë po arrestohej nën dyshim për aferë korruptive. Në kohën kur po pritej që të takonte kreun e globit.
Nejse, takimi i ëndërruar nuk u mbajt, por as (ish)kreu serb nuk shkoi atje për ta takuar "rastësisht” atë. As opozita nuk do bëjë pyetje. Veç spekulantët përmendin një thashetheme se dy "fqinjët” janë takuar dy javë më herët këndejpari, prandaj përse të rrezikohet gjithçka me një shtrëngim publik të duarve. Rrezikonte edhe Uashingtoni, edhe Beogradi. Në prag të zgjedhjeve. Madje, disa spekulojnë se edhe kriza e veriut është veç një "acarim” në funksion parazgjedhor në Serbi. Por, metafora nuk i përfshin dot të gjitha. Nuk i shpjegon të gjitha. As njerëzit, as shtazët. As politikën.
Kështu padashur m’u kujtua "edukatori” nga burgu boshnjak, ai burokrat i vogël, i cili i depersonalizonte të burgosurit duke u dhënë veti shtazësh.
Duhet goditur gjarprin në kokë, po thoshte kolumnisti i regjur, i cili po bënte akrobaci me fjalë për shtatë palë qejfe. Pastaj po thoshte diçka si jerm, se po pritnim kot që gjarpri ta godiste veten në kokë. Kështu u bë krejt lëmsh ideja e gjarprit dhe e kokës. Posaçërisht e korrupsionit. Është bërë lëmsh edhe politika, edhe metafora.
E pra, nuk janë njerëzit të krahasueshëm me shtazët. Ndoshta vetëm në rrethana të luftës për mbijetesë. Sepse shtazët janë më humane se shumë njerëz. Ato vetëm ushqehen. Instinkt mbijetese dhe vetëmbrojtjeje. Politika është zonë tjetër. E hirtë. Sikurse edhe njeriu i politikës. Si thoshte dikur filozofi i lashtë: "Shtazë politike”. Apo, është vetëm një përkthim i thatë. Një metaforë që nuk përkthehet.
Sikur gjarpri. Sikur koka apo bishti i gjarprit. Në Evropë kanë krejt tjetër kuptim. Në SHBA, tjetër. Aq më tepër kur në kombinim hyn korrupsioni, antikorrupsioni dhe qeveria.
Lëre krejt! Te ne qeveria vetvetiu është metaforë. Është vetë koka e gjarprit!
Te nderuar komentues! Duke mos dashur te cenojme opinionet tuaja, lutemi qe ato te mos permbajne fyerje dhe ofendime personale dhe te kene lidhje me shkrimin, apo temen per te cilen komentohet. Ne te kundert, nuk do te publikohen. Ju falenderojme qe na ndiqni dhe ju ftojme te vazhdoni te jeni pjese e Ks-Dardania. comments powered by Disqus