Main » 2012 » Prill » 14 » Kush po kërkon luftë në Maqedoni?
4:42 AM
Kush po kërkon luftë në Maqedoni?
Nuk përbën një teori konspiracioni vlerësimi se një qeveri e papërgjegjshme po nxit një axhendë nacionaliste që po shpie drejt konfliktit të hapur.Rritja e dhunës ndëretnike që kemi parë këtë kohë në Maqedoni është një pasojë e qartë e politikave shkatërrimtare të qeverisë.Nikola Gruevski, kryeministër dhe udhëheqës i partisë etnike maqedonase në pushtet VMRO-DPMNE, një parti nacionaliste kjo dhe partneri i tij në qeveri, Ali Ahmeti, udhëheqës i partisë etnike shqiptare Bashkimi Demokratik për Integrim, si dhe shumë personazhe publike proqeveritare, e kanë mohuar në mënyrë kategorike përgjegjësinë mbi dhunën etnike në rrugë. Disa sugjerojnë se janë shërbimet e huaja sekrete përgjegjëse për këtë situatë.Por ne nuk kemi nevojë të hyjmë në detaje. Ka një dallim mes të qenit organizatorë dhe të qenit përgjegjës. Qeveria nuk e ka të nevojshme të jetë organizuesja fizike e urrejtjes ndëretnike dhe shunës në vend dhe në të njëjtën kohë, ajo është përgjegjëse për këtë dhunë. Si? Shumë e thjeshtë. Ajo e ka krijuar këtë urrejtje. 

Kush është përgjegjës për histerinë nacionaliste?
Janë doktrinat dhe praktikat nacionaliste ato që përbëjnë karakteristikat kryesore të partive politike në këtë vend, veçanërisht në partitë sunduese. Për më tepër, qeveria është përgjegjëse për përkeqësimin e fortë të lirive dhe të drejtave të njeriut, kontrollit intensiv dhe presionit të hapur ndaj medias, zvogëlimit të lirisë së fjalës dhe mungesës së dialogut politik dhe sundimit të ligjit. Kemi të bëjmë me një sistem të kontrolluar nga një parti, nivele të papara politizimi në të gjitha institucioneve dhe administratës, e shoqëruar kjo nga varfëria dhe papunësia në rritje.

Në mënyrë që të shmangë reagimin e shoqërisë nga këto probleme, partia në pushtet ka imponuar një rritje të shpejtë të populizmit dhe retorikës nacionale e shoviniste përmes aksioneve që rritën nacionalizmin dhe diskriminimin në nivele institucionale. Qeveria po krijon në mënyrë të hapur apo po sponsorizon fshehtazi një gamë të gjerë projektesh dhe aktivitetesh gjysëm-fashiste, duke filluar nga projekti grotesk, shumë i kushtueshëm dhe tërësisht i pakuptimtë "Shkupi 2014” te sjella histerike e tifozëve të skuadrave kombëtare të basketbollit, hendbollit etj, himnet e të cilave janë ekskluzivisht nacionaliste dhe raciste.

Klubet e tifozëve maqedonas zakonisht këndojnë slogane raciste si "dhoma gazi për shiptarët”. Këto slogane thirren nëpër stadime, shpesh nën praninë e presidentit Ivanov dhe kryeministrit Gruevski, të cilët nuk kanë marrë mundimin kurrë t’i dënojnë sjellje të tilla.

Përkundrazi, qeveria shpesh paguan biletat për tifozët nacionalistë për të ndjekur skuadrën e vet. Flamujt shqiptarë digjen nëpër stadime shpesh dhe tifozët shqiptarë reagojnë duke djegur flamujt maqedonas.

Kjo histeri nacionaliste po zhvillohet sistematikisht, duke i kthyer partnerët në koalicionin qeverisës në vasalë apo koka turku apo duke përdorur gazetarë pa shtyllë kurrizore si agjentë të kësaj propagande. Qe kjo lloj sjelljeje që na solli ne në prag të të shkuarës dhe në dhunën e ndërsjelltë etnike. Brutaliteti që kemi parë këto ditë është një rrjedhojë logjike e partisë në pushtet dhe vasalëve të saj politikë. Çdokush mund ta shohë qartë se ku po na shpie kjo gjë.



Përçarje dhe dhunë
Dhuna e fundit etnike ka përfshirë më së shumti njerëz të rinj. Në incidentin më të rëndë, rreth 30 njerëz të maskuar të pajisur me shkopa bejsbolli dhe shufra hekuri sulmuan një autobus dhe rrahën rëndë mbi 10 fëmijë, përfshirë vajza, të gjithë shqitarë. Rrahjet u bënë të ndërsjellta në ditët që vijuan.

Dhuna mes shqiptarëve dhe maqedonasve nuk është e re dhe është pasojë e një ndarjeje sistematike në shkolla dhe gjithkund tjetër, kryer nga qeveria përgjatë viteve. Në krye të kësaj dhenden të rinjtë e një vendi të ushqyer me nacionalizëm nga institucionet dhe shteti.

Pavarësisht dokumenteve ligjore dhe strategjive të miratuara nga qeveria, përfshirë edhe atë mbi arsimin e integruar më 2010, politikanët vijojnë të nxisin ndarjen etnike në shkolla. Kjo kombinohet me librat e historisë dhe lëndëve të tjera ku ka përmbajtje shumë paragjykuese. Nxënësit maqedonas dhe shqiptarë studiojnë histori të ndryshme.

Një vrasje në dukje me gjak të ftohtë të dy të rinjve në Gostivar nga një oficer i policisë kufitare u kritikua por shumë pyetje mbetën pa përgjigje. Si shpjegohet që Ministria e Brendshme kishte një vrasës të tillë në strukturat e veta? Sa të tjerë si ai vijojnë të punojnë? A është e mundur që OSBE-ja, pas shumë vitesh monitorimi dhe trajnimi të policisë ta parashikojë një ngjarje të tillë?

Urrejtja etnike është e nxitur hapur nga politikat kulturore nacionaliste të maqedonasve në qeveri. Aleati shqiptar në qeveri gjithashtu merr një pjesë të buxhetit me të cilin ushqen ndjenjat nacionaliste mes votuesve të vet.



Teoritë e konspiracionit kundër realitetit

Dhuna nuk do të ndalet. Situata e sigurisë do të përkeqësohet. Qeveria nuk ka integritetin për ta ndaluar atë në një mënyrë të besueshme e të qëndrueshme. Ndërkohë, shkopat e bejsbollit mund të zëvendësohen lehtë nga armët, duke krijuar kushtet ku një betejë fjalësh në internet të sjellë luftë të vërtetë. Shumëkush po nuhat luftë në Maqedoni. Por kush realisht mund ta dëshirojë diçka të tillë?

Përfundimisht, kushdo që beson teoritë e konspiracionit ka mundësi të krijojë histori të gjata. Për konspiracionistët maqedonas, perëndimi dëshiron të shkatërrojë kombin e tyre. Për konspiracionistët shqiptarë, financies të mundshëm janë serbët apo rusët. Disa mund të besojnë mbi një teori komploti ku dy partitë në pushtet janë financues të dhunës për të ruajtur pushtetin e vet. Disa të tjerë besojnë se dhuna lidhet me diskutimin me Greqinë mbi emrin e vendit dhe anëtarësimin në NATO.



Askush nuk e dëshiron luftën?
Le të shohim parlamentin. Maxhoranca përpiqet të akuzojë opozitën si përgjegjës për dhunën, duke i akuzuar për krijimin e një konflikti. Kjo është qesharake. Dhuna etnike është në të vërtetë pasojë e axhendave agresive nacionaliste të udhëhequra nga maxhoranca.



Pra kush dëshiron luftën?
Ka shumë gjasa që politikanët e korruptuar i frikësohen drejtësisë pasi të humbasin pushtetin. Është gjithashtu e mundur që këta politikanë kërkojnë më shuma para dhe lufta mund të ofrojë një shans të mirë. Askush nuk e dëshiron luftën, mund të jetë përgjigjja.
Views: 236 | Added by: ksdardania | Rating: 5.0/1

Te nderuar komentues! Duke mos dashur te cenojme opinionet tuaja, lutemi qe ato te mos permbajne fyerje dhe ofendime personale dhe te kene lidhje me shkrimin, apo temen per te cilen komentohet. Ne te kundert, nuk do te publikohen. Ju falenderojme qe na ndiqni dhe ju ftojme te vazhdoni te jeni pjese e Ks-Dardania.
comments powered by Disqus