"Tabucchi- ky shkrimtar i madh i kontinentit na la në atë hendekun e madh dhe të qëllimshëm, sepse është vepra e tij ajo që na fuste dhe na fut në atë kurthin e madh ku çdo gjë vihet në dyshim për shkakun e thjeshtë që jemi aq të përkohshëm dhe të brishtë! Por para së gjithash të shumëfishtë dhe diskretë. Prandaj, pse të shokohemi? Apo pikëllohemi. Edhe ashtu, Antonio Tabucchi kurrë s’na e ka lënë atë shteg. Përmes shkresave të tij. Shumëfishimit të personit e krijuesit, adhuruesit (të Pessoa-s) dhe të adhuruarit"... Dhjetë vjet para se të vdiste, në vitin 1744, Baroni de Montesquieu – në journalet e tij shkruante kështu: "Njeriu nuk mund ta zgjedhë ku dhe si lind… por ajo që po ky njeri gjithsesi dhe patjetër mund të zgjedhë është… se ku do të jetojë dhe po aq të vdesë!” Kjo fjali e francezit të pavdekshëm më shkonte ndërmend derisa lexoja gjithë ato deklamime e himne; pikëllimin e përmotshëm dhe lotët e admirimit… dhe çka jo tjetër… kur journal-et e Europës këtë javë shkruanin dhe me këtë edhe përjetësonin vdekjen e një zotëriu dhe shkrimtari të madh.
Njërit prej atyre më të mëdhenjve që kontinenti ynë i moçëm dhe pistë kishte: Antonio Tabucchi. Vdekja e tij për dikënd mund edhe të duket e kohës (në moshën 68-vjeçare) është diçka që ky autor i madh italian gjithmonë e kishte pritur. Në librat e tij, në trajtesat e tij, në esetë e tij, në Portugalinë e tij dhe Toskanën e tij.
Tabucchi- ky shkrimtar i madh i kontinentit na la në atë hendekun e madh dhe të qëllimshëm, sepse është vepra e tij ajo që na fuste dhe na fut në atë kurthin e madh ku çdo gjë vihet në dyshim për shkakun e thjeshtë që jemi aq të përkohshëm dhe të brishtë! Por para së gjithash të shumëfishtë dhe diskretë. Prandaj, pse të shokohemi? Apo pikëllohemi. Edhe ashtu, Antonio Tabucchi kurrë s’na e ka lënë atë shteg. Përmes shkresave të tij. Shumëfishimit të personit e krijuesit, adhuruesit (të Pessoa-s) dhe të adhuruarit.
Kush s’e ka lexuar Sostiene Pereira (Tregon Pereira, 1994) apo edhe s’e ka parë filmin bazuar në po këtë libër me Marcello Mastroianni-n? Atë redaktor gazete i cili në kohën e keqe të regjimit autokratik a diktatorial të Salzar-it ka vetëm një detyrë: të hartojë nekrologji për personalitet që do të vdesin. Tekste të shkruara paraprakisht, të cilat janë në sirtarët e Pererira-s.
Të shkruara për së gjalli dhe publikuara për së vdekuri. Një gjetje gjeniale. Si çdo gjë në veprën e këtij autori. Edhe kur vrapon dhe e gjen Pessoa-n- për veten e tij, por po aq edhe për ne. Apo kur e përshkruan natën hinduse… Por rekuiemi… për Lisabonën? Janë shumë, shumë e shumë rreshta proze e sprovash të këtij autori italian që kanë mbetur dhe do të mbesin. Përjetësisht. Është peizazhi i tij i Toskanas së lindjes dhe Lisabonës së vdekjes… që këtë autor e kanë bërë të jetë si ishte: i pa arritshëm. Dhe para së gjithash i papërsëritshëm.
Ishte jeta e tij. Mënyra e qetë dhe e egër me të cilën e donte atdheun e tij të parë (Italinë) dhe nga vendi i tij i dytë, i përzgjedhur, Portugalia, nuk ngurronte, që me pasion të pandalur të hidhte gurë e dru mbi italianët e (dikur të) tij. Janë me dhjetëra e qindra ese, trajtesa, polemika e thika intelektuale që në faqe fejtonesh (kulture) hidhte kundër klikës së Berluskonit dhe të tjerëve si ai.
Dhe përgjithësisht, ishte jeta e tij, angazhimi i tij ajo që këtë autor e kishin bërë të jetë Ecco-ja i vërtetë, i madhi i të mëdhenjve, italian e europian. Sepse kishte lindur italian dhe ishte përcaktuar të jetonte dhe me këtë edhe vdiste dikund tjetër? Mbase. Këtë gjë nuk e dimë kurrë. Por e dimë që shkuarja e tij na ka vënë para një dileme të madhe. Kërkimi, eksplorimi deri në palcën e padurueshme të dhembjes që i bënte vetes me lojërat prozaike nga Pereria përmes Pessoa-s, na ka vënë para dilemës që tash, kur nuk është mes nesh… duhet dhe do të merremi edhe më shumë me veten. Me atë fiksionin e shumësisë që e kemi te njëshi (uni?) ynë i zbutur nën kërcënimin e instinkteve të fërkimeve me rrethin e natyrën. Peizazhet shpirtërore dhe mëdyshjet mendore.
Antonio Tabucchi duhet të ketë vdekur siç ka dashur. Shpejt dhe pa shumë dhembje. Sepse dhembja për të ishte vetë ekzistenca. Krijimi. Ballafaqimi. Përcaktimi- për këtë rrugë dhe për atdhetë e tij. Italinë, Portugalinë, Pessoa-n, Pereira-n… lexueset e lexuesit e tij. Anembanë botës.
Pusho i qetë mjeshtër! Shihemi përtej. Një nekrologji tjetër s’do të kishim mundur ta bëjmë as me ndihmën tënde. E kishte shkruar – bile edhe shqip, ai…
Te nderuar komentues! Duke mos dashur te cenojme opinionet tuaja, lutemi qe ato te mos permbajne fyerje dhe ofendime personale dhe te kene lidhje me shkrimin, apo temen per te cilen komentohet. Ne te kundert, nuk do te publikohen. Ju falenderojme qe na ndiqni dhe ju ftojme te vazhdoni te jeni pjese e Ks-Dardania. comments powered by Disqus