Main » 2012 » Maj » 1 » Leksion nga Ferizaj
2:02 PM
Leksion nga Ferizaj
Milaim Shefkiu


Zgjedhjet e jashtëzakonshme në Ferizaj dëshmuan edhe një herë se Partia Demokratike e Kosovës është e pamposhtur. Madje, nëse këto zgjedhje merren si barometër për zgjedhjet e ardhme lokale, parlamentare dhe presidenciale, atëherë kryeministri Hashim Thaçi dhe partia e tij-PDK do ta ketë të paktën edhe një mandat qeverisjen në vend. Kandidati i kësaj partie për kryetar komune, Agim Aliu fitoi numrin më të madh të votave, duke lënë mbrapa rivalin e tij, Adem Salihajn. Kjo fitore padyshim se ia ngrit kredon kryeministrit Hashim Thaçi dhe PDK-së, duke dëshmuar se jo gjithçka është kontrabanduar në zgjedhjet e kaluara. Pra, PDK në raundin e parë fitoi, pa hile, dhe e la mbrapa LDK-në me një përqindje relativisht të theksuar 16 për qind, duke dëshmuar se është partia e "pakonkurrencë”.

Tani edhe nëse i bëhet një analizë gjithë këtij procesi, se cili ishte motivi i fitores së PDK-së dhe defekti i humbjes së LDK-së, përfshirë edhe entuziazmin e Vetëvendosjes, del se PDK ka investuar në fitore. Pra investimi ishte se zgjodhi një kandidat që është më pak i eksponuar në opinion dhe i pranuar për masën e popullit atje.

LDK, ndërkaq ose si zgjedhje më të mirën ose të domosdoshmen e zgjodhi Adem Salihajn, një kandidat relativisht i konsumuar në opinion. I përmendur nga Nazimi i Ribarit, ish-zëvendëskryeministër, ish-kryetar komune, herë në një parti e herë në një parti tjetër, pra i harxhuar politikisht.

Dhe me këtë figurë është ditur që LDK nuk mund të sfidojë bashkëpartiakët dhe veprimtarët e Bajrush Xhemajlit. Ky i fundit pra ishte njeriu që bëri ndryshimet në Ferizaj. E mori komunën nga LDK, bëri ndryshme themelore në infrastrukturë, punoi aq sa mundi dhe u largua siç u largua. Pra edhe inercioni është një armë e fortë që ndikoi në fitoren e PDK-së.

Ndërsa Vetëvendosje për herë të parë e sfidoi veten në këtë garë dhe është meritë e madhe që fitoi 16 për qind, duke u radhitur e treta. AAK pavarësisht që e ndërroi kandidatin mori një përqindje që nuk garanton shumë të ardhme, ndërsa AKR dështoi plotësisht.

Pra nëse vërtet Ferizaj është mostër elektorale, atëherë shihet se vetëm PDK dhe Vetëvendosje kanë ngritje në elektorat. LDK dhe AAK janë në të njëjtin pozicion ku kanë qenë me pak ndryshime, ndërsa lakorja për të keq po shkon për AKR-në e Behgjet Pacollit, e cila nëse vazhdon me këtë ritëm, në zgjedhjet e ardhshme e ka shumë të vështirë të kalojë pragun zgjedhor.

Madje, kandidati në Ferizaj i AKR-së është një leksion për Pacollin, se për t’i hyrë garës për president i duhet kondicion shtesë.

Zgjedhjet e Ferizajt, megjithatë, nuk sollën të papriturat. Por, megjithatë diçka e re do të dalë gjatë balotazhit. Këtu do të shihen se kush me kënd është. Kush është me kryeministrin Hashim Thaçi e kush me liderin e opozitës, Isa Mustafa. Gjithashtu do të shihet edhe me cilin anë do të rreshtohet lideri i Vetëvendosjes, Albin Kurti dhe lidershipi i AAK-së. Këta të fundit disa herë kanë thënë se janë parë në shoqërim me kryeministrin Hashim Thaçi, prandaj Ferizaj është një dëshmi se kush me kënd është.

Përqindja e vogël e daljes në zgjedhje është një shqetësim që ka dalë nga Ferizaj. Kjo dalje, vetëm 30 për qind kërkon një analizë tjetër. Pra, këtu duhet parë se a janë mërzitur kosovarët nga dalja në zgjedhje, apo janë lodhur nga mosndryshimi. Pra, e kanë kuptuar edhe kosovarët sikurse anglezët lojën e futbollit: "Futbolli është një lojë e bukur, që zgjat 90 minuta dhe ku gjithmonë fitojnë gjermanët”. Edhe në Kosovë: "Sa herë mbahen zgjedhjet fiton Hashim Thaçi”.
Views: 240 | Added by: ksdardania | Rating: 0.0/0

Te nderuar komentues! Duke mos dashur te cenojme opinionet tuaja, lutemi qe ato te mos permbajne fyerje dhe ofendime personale dhe te kene lidhje me shkrimin, apo temen per te cilen komentohet. Ne te kundert, nuk do te publikohen. Ju falenderojme qe na ndiqni dhe ju ftojme te vazhdoni te jeni pjese e Ks-Dardania.
comments powered by Disqus