Zgjidhja e problemit të "Trepçës” nuk qëndron në aftësitë e një individi – menaxherit të saj, por në guximin e Qeverisë së Kosovës për të hequr dorë nga koncepti i trashëguar nga UNMIK-u që ajo të degradohet si peng i borxheve të pasqaruaraMinatorët e "Trepçës” janë heronj, por të viteve të kaluara. Ata mbi supet e tyre kanë bartur zhvillimin e kombinatit të dikurshëm, por në momentet më të rëndësishme nxitën edhe procese të rëndësishme politike, të cilat janë pjesë e mozaikut të të gjitha ngjarjeve që sollën Kosovën këtu ku është sot.
Por, këto lëvdata e merita i takojnë historisë. Tash "Trepça” është në një fazë tjetër- fatkeqësisht në atë të shkatërrimit. Ndërkaq, minatorët nuk ofrojnë asnjë zgjidhje nëse angazhohen vetëm për atë se kush do të jetë menaxher.
Kombinati i dikurshëm nuk mund të jetë problem i një individi, pa marrë parasysh aftësitë e tij, por një lëmsh i ngatërruar i shumë kurtheve, të cilat po e mbajnë peng.
Greva e para pak ditëve e minatorëve në fokus nuk kishte fatin e "Trepçës”, por çështjet e natyrës individuale. Pse ish-menaxheri Ferat Shala dhe dorëheqjen "enigmatike”, pa dhënë raport para minatorëve?
Pse AKP-ja në vend të tij ka emëruar Esat Ujkanin pa i pyetur ata? Nëse nuk zgjidhet ndonjëri nga lista që minatorët e përpiluan (Halil Qela, Beqir Maliqi, Miftar Hyseni ) greva do të përshkallëzohet dhe ata do të marshojnë drejt Prishtinës. Ndërkaq, mungoj kërkesa thelbësore që është dashur t’i adresohet Qeverisë së Kosovës – pse po i përmbaheni amanetit të UNMIK-ut, sipas të cilit "Trepça” duhet të shkatërrohet si peng i borxheve të pasqaruara.
Në këtë lëmsh më konfuz ishte Agjencioni Kosovar i Privatizimit. Së pari, ajo për ushtrues të detyrës së menaxherit kishte emëruar personin që u pa se nuk gëzonte përkrahjen e punëtorëve, pa marrë parasysh se për një kohë ka qenë zëvendës menaxher. AKP-ja, nën përgjegjësinë e së cilës është "Trepça” nuk është dashur të veprojë sipas bindjeve të veta, pa e pasur parasysh ambientin e përgjithshëm dhe rrethanat në këtë kompleks. Sipas mandatit që ka, këto është dashur t’i dijë. Ndërkaq, gabimi i dytë ishte kur iu nënshtruar presioneve she pa asnjë arsyetim shkarkoj personin që e kishte emëruar dhe emëroj njeriun nga lista e minatorëve. Është krejtësisht e kuptueshme se për mbarëvajtjen e punëve menaxheri duhet të jetë njeri i pranueshëm nga mesi ku punon, meqenëse ai duhet të bashkëpunoj me të gjitha kategoritë e punëtorëve. AKP-ja këtë fakt nuk është dashur ta injorojë që nga momenti kur Ferat Shala ofroi dorëheqjen.
Mesazhi i grevës ishte i qartë - të zgjidhet menaxheri që e duan minatorët. Duke mos dashur që për asnjë moment të nënçmojmë njohuritë për aftësitë profesionale që ata kanë për secilin punëtorë që punon aty, megjithatë disa gjëra po rrjedhin jashtë konceptit për funksionimin e ndërmarrjeve sipas mënyrës për të cilën është përcaktuar ky vend. Secila ndërmarrje ka pronarin vet, i cili dikujt ia jep besimin për të menaxhuar atë. Ai duhet të garantoj punë, para dhe profit. Sindikata prej tij pret respektimin e të drejtave të punëtorëve dhe sigurimin e pagave. Sa më të larta të jenë ato, aq më mirë. Ndarja e këtillë e punëve garanton mbarëvajtje dhe sukses.
Mirëpo, specifikat që ka "Trepça”, si edhe problemet dhe paqartësitë që mbështjellin atë kanë ndikuar që të mos respektohet ky rend. Minatorët nuk e pranojnë pronarin e ndërmarrjes AKP-në, "e cila po shkatërron ekonominë e vendit”. Kjo çështje tash del të jetë më fundamentale se kërkesa për shkarkimin e Ujkanit dhe emërimin e Qelajt, për faktin se AKP-ja nuk ka dhënë asnjë sqarim për fatin e ish-kombinatit. Ndërkaq me vite të tëra, duke filluar nga administratori ndërkombëtarë i Kosovës Bernard Kuochner që "Trepçën” e kishte cilësuar si dinozaur i gjykuar për t’u shfarosur, likuidimi është mbajtur si opsion i mundshëm për tejkalimin e këtij ngërçi. Vërtet kjo është çështje për shqetësim, jo vetë për minatorët.
Pse duhet të ndodhë likuidimi!? Për shkak të 50 milionë dollarëve që dikur kompanitë greke, franceze e bullgare kanë paguar për të financuar pushtetin që ia futi flakën gjysmës së Ballkanit? Apo, për shkak të 200 milionë dollarë të tjerë që i kërkon Serbia, pa ditur fare se si është krijuar ai borxh!? Nëse për shkak të këtyre çështjeve "Trepça” mbetet peng dhe rrezikon të ketë një fund fatal, atëherë fajtor kryesor është Qeveria e Kosovës. Arsyet janë të shumta.
E para, ajo nuk është dashur që me ligjin për riorganizimin e ndërmarrjeve të veçanta të fuqizojë rregulloren e UNMIK-ut, e cila "Trepçën” e fut nën moratorium dhe ia lidh gurin rreth qafës.
E dyta, kompleksi i minierave, i flotacionit dhe i metalurgjisë nuk është dashur të mbesin nën autoritetin e AKP-së, por duke i transformuar në ndërmarrje publike kalojnë në përgjegjësi të Qeverisë së Kosovës. Me këtë status pronësorë ish-kombinati ka shans të riaktivizohet, ndërkaq AKP-ja nuk mund ta bëjë këtë, meqenëse ajo ka kompetencë vetëm për privatizimin, ose likuidimin ndërmarrjeve.
E treta, minierat e "Trepçës” duhet të kenë licencë të përhershme për eksploatimin e xehes, meqenëse aktualisht ajo këtë të drejtë e ka vetëm deri në fund të këtij viti. Duke ofruar këtë mundësi edhe nxjerrja e xehes do të ishte shumë më e madhe, e jo që për shtatë vjet (2005-2011) të eksploatohen vetëm 934 mijë tonë xehe, afërsisht sa ishte prodhimi vjetor i minierave në kohën e tyre më të mirë.
E katërta, duke ndryshuar statusin e flotacionit dhe të kompleksit përpunues do të krijoheshin mundësitë që "Trepça” në treg të shesë metal, e jo koncentrat. Me strukturën e tashme të prodhimit ajo tash më shumë i gjason situatës në të cilën ishte para viteve të ’40 të shekullit të kaluar, se sa një potenciali me mundësi të pashfrytëzueshme. Ndonëse çmimi i zinkut dhe i plumbit është i lidhur me zhvillimet në bursa, rënia aktuale e tij nuk duhet të dekurajojë.
E pesta, statusi publik i pronës ofron mundësi më reale për aktivizimin e metalurgjisë dhe të elektrolizës. Nëse qeveria nuk ka para, këtë problem do të kishte mundësi ta zgjidhë përmes partneritetit publiko-privat, përkatësisht duke i dhënë me koncesion.
E gjashta, Qeveria e Kosovës para vetes duhet ta ketë analizën e fizibilitetit, përmes të cilës do të identifikoj të gjitha problemet e "Trepçës”, mundësitë e tejkalimit të tyre, nevojën për investime, burimin e parasë dhe kthimin e investimeve. Këtë përgjegjësi nuk duhet t’ia vazhdoj AKP-së, por të angazhoj ekspertët e vet, e nëse nuk i ka këtë t’ia besojë ndonjë instituti të besueshëm vendor, apo ndërkombëtar.
E shtata, të shfuqizohet, apo të amandamentohet ligji për riorganizimin e ndërmarrjeve të veçanta, ashtu që të ndryshohet statusi i "Trepçës”, që ajo të mes mbetet nën mëshirën e kreditorëve, por vet të merr të gjitha përgjegjësitë, si për të tashmen, ashtu edhe për të kaluarën e saj.
E teta, asnjëra prej tyre nuk do të arrihen nëse Qeveria e Kosovës nuk merr guximin dhe të anuloj të gjitha marrëveshjet dhe kontratat që në emër të "Trepçës” janë lidhur që nga viti 1989 e deri në qershor të vitit 1999. Për këtë ka bazë të qëndrueshme, pasi që, tash po vërehet se ato janë bërë në dëm të ish-kombinatit dhe në kohën e diskriminimit të rëndë. Pastaj, kur është në pyetje rasti i "Trepçës” nuk është përfillur një rregullore e UNMIK-ut, sipas të cilës është i pavlefshëm çdo ligj, ose vendim me bazë diskriminuese. Ndërkaq, nga ish-kombinati u dëbuan të gjithë punëtorët shqiptarë, e pastaj u morën vendime për shkak të cilave ajo tash po shkon drejt humnerës.
E nënta, për të marrë vendime të këtilla kërkohet guxim dhe këmbëngulësi. Këtë duhet ta manifestoj së pari Qeveria e Kosovës, e cila, aktualisht, duke ia lënë përgjegjësinë AKP-së ka neglizhuar njërin ndër problemet më të mëdha ekonomik e sociale të Kosovës që quhet "Trepçë”. Asaj i duhen trima dhe njerëz të dijshëm dhe me bagazh profesional. Këtë duhet ta kenë të qartë edhe minatorët, meqenëse për fatin e punës së tyre, të minierave dhe të tërë ish-kombinatit nuk është me rëndësi të veçantë se në ballë të tij a është Ferat Shala, Eset Ujkani, apo Halil Qela, por cila është strategjia e Qeverisë ndaj "Trepçës” dhe sa ka guxim ajo që përfundimisht të shfuqizojë të gjitha kontratat që janë lidhur në dëm të ish-kombinatit, pa marrë parasysh se aty mund të kenë interes edhe faktorë të ndryshëm ndërkombëtar.
Te nderuar komentues! Duke mos dashur te cenojme opinionet tuaja, lutemi qe ato te mos permbajne fyerje dhe ofendime personale dhe te kene lidhje me shkrimin, apo temen per te cilen komentohet. Ne te kundert, nuk do te publikohen. Ju falenderojme qe na ndiqni dhe ju ftojme te vazhdoni te jeni pjese e Ks-Dardania. comments powered by Disqus