Main » 2012»Prill»11 » Qaramanë ishim, qaramanë kemi mbetur!
8:07 PM
Qaramanë ishim, qaramanë kemi mbetur!
Artan M. Haraqija
Ngjarjet e ditëve të fundit ma parafytyrojnë profesorin e Mbrojtjes, i cili muajin e fundit të gjimnazit, pak ditë pas përfundimit të luftës në Kosovë, përqeshej me shifrat që publikoheshin për minat e vendosura në territorin kosovar. Atë kohë flitej për miliona mina të vendosura nga ushtria e Serbisë, mirëpo sipas ish-profesorit tim, minat janë shumë të shtrenjta që aq shumë të përdoren për vrasjen e shqiptarëve. Duke u mbështetur në mungesën totale të mëshirës ndaj shqiptarëve, për ish-ligjëruesin e gjimnazit të Gjakovës, Serbia e Millosheviqit nuk do të harxhonte gjithë ato para për të vrarë më shumë shqiptarë se ç’kishte vrarë gjatë luftës. Normalisht si shqiptarë të rinj "patriotë” që ishim mësuar për 14 vjet shkollë të bombardoheshim me deklarime si "populli shqiptar është trim, luftëtar, por dhe paqedashës”, ne trishtoheshim nga vlerësimet e profesorit të Mbrojtjes. Edhe sot e kam inat atë profesorin, si guxonte të na shkatërronte ndjenjën se ne jemi trima?
Tani, sa trima e luftëtarë jemi s’e di qysh mund ta besojmë ende, por që jemi "paqësorë” domosdo është pasqyrimi më i mirë i realitetit të këtyre ditëve. Cili shtet në botë mendon që me vetëm dy policë mund ta patrullojë malin (vijën e gjelbër kufitare) përpos Kosovës? Duhesh të jesh tejmase "paqësor” për ta besuar se mali kufitar me Serbinë nuk ka policë të Daçiqit, as kontrabandues e besa as arinj e ujq. Me fjalë të tjera ne besojmë që edhe malet kufitare i kemi "paqësore” apo për çfarë tjetër dolën në mal ekipi prej vetëm dy policëve? Mos ndoshta kishte më shumë, por që të tjerët ikën nga sytë këmbët për të mos përfunduar në fotografi të Daçiqit, duke e puthur tokën?
Pak ditë më vonë vritet një qytetar shqiptar që guxoi të vazhdojë jetën në veri të Kosovës, apo pjesën që ministri Rexhepi thoshte se e mban në xhep të vogël. Rexhepi kohë më parë thoshte se shqiptarët nuk duhet t’ia shesin qeverisë së Serbisë pronat e tyre në veri. Pse vetë nuk iu ka ofruar kurrë siguri atyre njerëzve nuk e ka përmendur fare, duket ka qenë tejet i zënë me krijimin e policisë "më paqësore” në botë. Tekefundit mund të themi se para degradimit të shtetit të Kosovës, ende të papërfunduar, ka degraduar jeta e shqiptarit.
Nëse rilexojmë deklarimet e Bajram Rexhepit, të qeverisë dhe institucioneve të vendit, shumë më tepër ka ankesa në KFOR-in, EULEX-in e të tjerët dhe vetëm pak deklarata të llojit se do gjenden autorët dhe do sillen para drejtësisë. Për ta thënë më direkt, edhe si shtet kemi mbetur po ata qaramanë që kemi qenë para se të tjerët të na tregojnë datën se kur duhet lexuar deklarata e pavarësisë, e cila gjithashtu nuk është e shkruar prej nesh. Rrjedhimisht, vrasja e një shqiptari, arrestimi i disa të tjerëve që ende mbahen në Serbi, poshtërimi i policisë kosovare, as nuk përbën lajm më për medie të huaja.
Duke u jargavitur gjithnjë me vajin në buzë para ndërkombëtare, vrasja e një qytetari shqiptar në Mitrovicë, as që nxiti reagimin e Brukselit. Asgjë nuk e nxit më Bashkimin Evropian, në të mirë të qytetarëve shqiptarë, të njëjtëve që fjalët iu dalin edhe për vesh nëse preket dikush nga serbët, apo larg qoftë t’iu thyhen xhamat delegacioneve serbe në Prishtinë.
Nëse dikush guxon të bëjë një vrimë në xhamat e veturave zyrtare serbe, Robert Cooper apo ai që po shtyn Kosovën të flasë me shtetin që ia arreston qytetarët për hakmarrje, gjen mundësi që edhe prej Burmës së largët të çojë reagim kundër shqiptarëve në Kosovë. Bile ka zyrtar evropian e misione ndërkombëtare që kur vritet një shqiptar në Kosovë, lusin gazetarët, aman na pyesni ju neve për reagim, sepse nuk duam që vetë të dalim me reagime kundër këtyre vrasjeve.
Në fundit të fundit, përpos të shtypur, të përgojuar e poshtëruar, ne kemi mbetur po ata qaramanët që kemi qenë edhe më parë.
Te nderuar komentues! Duke mos dashur te cenojme opinionet tuaja, lutemi qe ato te mos permbajne fyerje dhe ofendime personale dhe te kene lidhje me shkrimin, apo temen per te cilen komentohet. Ne te kundert, nuk do te publikohen. Ju falenderojme qe na ndiqni dhe ju ftojme te vazhdoni te jeni pjese e Ks-Dardania. comments powered by Disqus