Qytetari është sovrani i vërtet. Ai ka të drejt të dijë gjithçka për vendin e tij. E qytetari i tillë nuk ka si të njihet ndryshe veçse si qytetar i informuar, qytetar aktiv.Qytetari i informuar e aktiv thuajse nuk ekziston ne vendin tonë, të paktën jo me fajin e tij. Ai nuk di pothuajse asgjë - që nga çështjet e interesit të përbashkët të bashkësisë, e deri te çështjet e kombit. Ky qytetar është qytetar i tjetërsuar. Atij s’i ka mbetur tjetër veçse me ngulm të kërkoj të marr ndonjë informatë nga mediat që në shumicën e herëve servojnë lajme me agjenda të sponsorizuara nga pushteti. Qytetari i hutuar kosovar di më së miri të komandoj me teledirigjuesin në orët e mbrëmjes për të zënë shumicën e lajmeve qendrore, për të marr informata se ç’po zihet. Edhe atij i interesojnë punët e shtetit. Edhe ai e di që Kosova nuk i ka punët mirë. Po çfarë të bëjë ai kur iu tha se shumë shpejt do kaloj edhe kjo përudhë e do të vijnë kohë më të mira.Magjia të cilën e priste ai nuk ndodhi. Atij iu tha që do ketë shkollim më të mirë, kujdes shëndetësor më kualitativ, punë, rregull e ligj. Atij iu premtuan të gjitha këto vetëm në kohë zgjedhjesh. Ai ishte i hutuar! Edhe gëzimi e euforia ja rrëmbyen zemrën dhe me të gjitha këto premtime që mori për shumë kohë ai që në mëngjes doli dhe dha votën. Ngutej se mos bëhej radhë e gjatë nga bashkëqytetarët e tij, te kutia e votimit. Dha votën jo vetëm kësaj here, por edhe disa herë të tjera që nga paslufta. E që atëherë ai u zhgënjye, u zhgënjye...
Doli disa herë edhe në protesta për të shprehur pakënaqësinë e zhgënjimin, por as kjo nuk bënte punë. Gjërat nuk ndryshonin. Ato kishin marrë tatëpjetën. E kur e pa që problemet e tij nuk kishin zgjidhje, atij i mbeti edhe një shpresë se të paktën mos shteti do të përparonte.
Ai dëgjoi nga lajmet edhe kësaj here si shumë herë të tjera se shteti i tij i pavarur tash e katër vite do të hynte në njëfarë "dialogu teknik”. Eh, dialog prapë, çudia rrëmbente nervat e tij! Por, kishte shpresa se punët do bëheshin ndoshta më mirë. Do të diskutohej për energji, diploma, regjistra kadastral etj. Nuk i pëlqente as atij që edhe njëherë të bisedohej me përbindëshin, por ja që dikush u kujdes ta bindte se këto ishin në të "mirë” të vendit.
E siguruan që për veriun nuk do të flitej, se ajo ishte çështje e brendshme. Kjo i dha shpresë se të paktën diçka e keqe nuk do të ndodhte njëherë për njëherë.
Filloi dialogu, sa raunde e raunde, sa kritika e kritika, sa marrëveshje e (mos)marrëveshje. Por, asnjë nga këto marrëveshje nuk u zbatuan. Vazhdoi kështu për shumë kohë. Dikush aty-këtu i druhej faktit se mos po futej në agjendë bisedimesh edhe veriu i vendit. E kur droja arriti kulmin, në një natë vere doli Qeveria e Kosovës e cila me nja aksion policor nën llupën e medieve u nis për të marrë kontrollin e veriut. E këtë gjë vetë nuk ia arriti, pastaj kërkoj ndihmën e aleatëve: KFOR-it dhe EULEX-it. Një polic kosovar mbeti i vrarë e Qeveria u tërhoq.
Në veri u bë edhe më zi. U kallën pikat doganore, e mezi që KFOR-i arriti ta fus situatën nën kontroll. Por, edhe më keq se kjo: serbët e atjeshëm në shenjë zemërimi, u barrikaduan. E barrikadimi i tyre vazhdon edhe sot. E problemet e veriut sa vinin e shtoheshin dhe serbet ishin të interesuar ta dobësonin pozitën e Kosovës, kështu që nuk hezituan që ta pranonin përfaqësimin e Kosovës në nismat rajonale, ama me një fusnotë ku nuk përmendej fjala aq shumë e dashur për të gjithë: Republikë.
Nën presionin evropian dhe me paaftësinë për të negociuar, negociatorët shqiptarë duke ditur edhe vetë, me sy në ballë pranuan këtë kompromis të dhimbshëm që t’i hapnin rrugën Serbisë për të fituar statusin kandidatit në BE. Kosovës iu premtua udhërrëfyesi që edhe ashtu edhe pa këtë marrëveshje ishte në rend tash e ca kohë dhe fillimi i studimit të fizibilitetit. Kjo e fundit i gëzoi pa masë ata që kishin nënshkruar "marrëveshjen fusnotë”. Të paktën morëm diçka, ishte sintagma neuronale e kokave te tyre.
Por, as kjo nuk ju doli siç u ishte premtuar: i gënjyen ngjashëm si këta e gënjejnë popullin tash e 13 vjet.
Tash nuk do të kishte studim fizibiliteti si për të gjitha vendet, por diçka si para studim fizibiliteti, diçka si vlerësim i gjendjes, gjë të cilën e bën Komisioni Evropian çdo vit për Kosovën përmes Raportit të Progresit. Ndoshta studimi i fizibilitetit do t’i jepet Kosovës vetëm kur të pranoj të futet në atë që njihet si dialog politik e që kohëve të fundit është bërë asociacion histerik.
Për dialog politik, qytetari i Kosovës e di vetëm një gjë: që nuk është mirë. Por, ai është i pafuqishëm të bëjë diçka. Qytetari është i hutuar, ai nuk e di për çka dialog politik, kur jemi "shtet i pavarur dhe sovran”. Pse të diskutohet për veriun që është pjesë e Kosovës me një vend tjetër.
Ai (qytetari) vazhdimisht po ndihet i mashtruar dhe i pa "gojë”. Fjala e tij nuk dëgjohet askund. Ai tashmë është i frikësuar për të ardhmen e tij individuale dhe kolektive. Ai akoma nuk e di pse nga tekniku dolëm në politik.
Te nderuar komentues! Duke mos dashur te cenojme opinionet tuaja, lutemi qe ato te mos permbajne fyerje dhe ofendime personale dhe te kene lidhje me shkrimin, apo temen per te cilen komentohet. Ne te kundert, nuk do te publikohen. Ju falenderojme qe na ndiqni dhe ju ftojme te vazhdoni te jeni pjese e Ks-Dardania. comments powered by Disqus