Main » 2012 » Mars » 25 » Serbia, e përkëdhelura e Brukselit
5:18 PM
Serbia, e përkëdhelura e Brukselit
Muhamer Pajziti


Bashkimi Evropian vazhdon ta përkëdhelë të përzgjedhurën e saj Serbinë. Nuk e braktis dhe nuk i kërkon të ndërgjegjësohet, edhe pse kjo e fundit sa herë t’i teket i shkërmoq standardet e saj për lirinë, demokracinë, vlerat humane etj.
Nuk i kërkoi të ndërgjegjësohet as për krimet e bëra mbi popujt e këtij rajoni, për gjithë ato vrasje makabre, masakra, skena horrore, të cilat lanë gjurmë të pashlyeshme në këtë pjese të Evropës. 
Përkundrazi, gjenocidi i saj u shpërblye fillimisht me liberalizimin e vizave, ndërsa më pas edhe me statusin e kandidatit për anëtarësim në këtë organizatë sui generis për mënyrën e funksionimit të saj. 

Edhe pse ekzistojnë disa kritere të ashtuquajtura politike, ekonomike, çuditërisht kur është në pyetje ky shtet agresor e kriminal, ato zhduken sikur "fluska” e famshme e fusnotës, e proklamuar nga disa protagonistë të skenës kosovare, të cilët i kanë hyrë valles së tangos me këtë shtet problematik dhe sipas gjitha gjasave ‘përcaktues’ i politikës gjeostrategjike ndërkombëtare, në këtë rast evropiane.

Serbia edhe kur i burgos shqiptarët e pafajshëm, i diskriminon ata, edhe kur vendos barrikada dhe pengon lëvizjen e lirë të personave, mallrave, shërbimeve etj., edhe kur nuk respekton marrëveshjet e firmosura me garanci të evropianeve, edhe kur nuk përbush kushtet e parashtruara nga Komisioni Evropian, shpërblehet, inkurajohet, trimërohet edhe më tepër.

Kjo po dëshmohet me vendimin për mbajtjen e zgjedhjeve parlamentare në Kosovë. A nuk është ky agresioni i radhës i Serbisë ndaj shqiptarëve, dhe a nuk po i thyen Bashkimi Evropian parimet e rregullat bazë të tij për pranimin e shteteve të reja në këtë organizëm.

Pse duhet të përdoren standarde të dyfishta, pse gjithmonë Serbia duhet të përfitojë e të avancojë në procesin e integrimit të saj, në kurriz të shqiptarëve.

Nëse Evropa këtë e bën për qëllime gjeostrategjike, të lidhura me procesin e zgjerimit të saj, gabon, sepse po i kontribuon djallëzimit politik dhe ekspansionit serb në veriun e Kosovës e gjetiu.

Shqiptarët po i godet, Kosovën e ka bërë një ishull të izoluar, nuk e njeh shtetësinë e saj, ndërsa Shqipërinë anëtare të NATO-s e trajton si të papjekur politikisht.

Kështu, shqiptarët do të detyrohen t’i kthehen idesë së Shqipërisë Natyrale, sepse ndryshe nuk do të tolerojnë copëtimin e mëtejmë të trojeve të tyre, ky kompromis i dhimbshëm nuk do të ndodhë.

Absurdi me Maqedoninë

Nga ana tjetër, po me përkëdhelje e merr edhe Maqedoninë, e cila nuk plotëson shumë standarde që kërkon BE, apo respektimi i tyre bëhet në mënyrën më të përvjedhur dhe konstruktuese, duke mbajtur në thelb shtetin etnocentrik sllavo-maqedonas dhe kultivimin e njëanshmërisë etnike.

Këtij mozaiku në parim si anti-evropian i shtohen edhe qasjet dhe improvizimet sa i përket plotësimit të të drejtave të shqiptarëve. Më shumë se një dekadë nga dokumenti i paqes i Ohrit, shqiptarët akoma janë në stadin e ulët të plotësimit të të drejtave të tyre bazë. Shqiptarët janë më shumë simbolikisht të përfaqësuar në kuadër të institucioneve të shtetit, sesa kanë mekanizmat e fuqisë për të vendosur apo për të qenë faktor në vendimmarrjet për interesat dhe çështjet e interesit strategjik shtetëror.

Pse Maqedonisë iu a drita jeshile për fillimin e bisedimeve të avancuara me BE?

Nëse thirremi në standardet dhe vlerat e vërteta evropiane, atëherë Maqedonia që në fillim është e diskualifikuar. Kjo për faktin se ky shtet me një demokraci të brishtë ballafaqohet me një mal problemesh të jashtme dhe të brendshme.

Vendi ka miratuar një varg ligjesh të harmonizuara, konform legjislacionit evropian acquis comunitar, porse këto ligje kanë mbetur dhe do të mbesin në letër.

Implementimi i tyre nuk do të ndodhë përderisa kemi një elitë politike të papërgjegjshme dhe me ide nacionaliste. Por, BE e shastisur pas krizës së saj që po godet bërthamën e saj, edhe në rastin e Shkupit, improvizon dhe jep favore në llogari të qeverisjes më të dështuar të këtij vendi të udhëhequr nga Nikolla Gruevski, i cili me projektet e nxitura me logon qeveritare po krijon zënka, incidente që do të gjenerojnë krizë shpartalluese dhe me pasoja.

Përjashtimet dhe vendimet politike të BE-së

Lëvizjet e fundit të institucioneve të Bashkimit Evropian në procesin e zgjerimit dhe thellimit të kësaj organizate ndërkombëtare, gjithnjë e më tepër po zbehin parimet e dhe rregullat bazë të saj për pranimin e shteteve të reja në gjirin e saj.

Brukseli në disa raste është duke marrë vendime politike për vende të caktuara, duke anashkaluar kështu parimet dhe kushtet e përcaktuara vetë për pranimin e shteteve të reja.

Kjo dëshmohet me anëtarësimin e Rumanisë dhe Bullgarisë, të cilat realisht nuk kishin plotësuar kushtet për hyrje në BE dhe kishin një standard të njëjtë me Turqinë dhe shtetet tjera të Ballkanit. Turqia ka një standard të jetesës që është dikund mbi 20 % i mesatares së BE-së, afërsisht sa ai i Bullgarisë dhe i Rumanisë.

Një tjetër fakt është edhe vendimi për statusin kandidat Serbisë dhe fillimin e negociatave të avancuara me Shkupin zyrtar, dhe në të njëjtën kohë izolimin e shqiptarëve, gjegjësisht, Kosovën dhe Shqipërinë.

Brukseli zyrtar duhet të ndërrojë qasje, përndryshe po i rrënon ato vlera të mirëfillta të ndërtuara nëpër shekuj nga vizionarë dhe dijetarë evropianë.
Views: 227 | Added by: ksdardania | Rating: 3.0/1

Te nderuar komentues! Duke mos dashur te cenojme opinionet tuaja, lutemi qe ato te mos permbajne fyerje dhe ofendime personale dhe te kene lidhje me shkrimin, apo temen per te cilen komentohet. Ne te kundert, nuk do te publikohen. Ju falenderojme qe na ndiqni dhe ju ftojme te vazhdoni te jeni pjese e Ks-Dardania.
comments powered by Disqus