Main » 2012 » Maj » 8 » Servilët në krye të shtetit
4:45 PM
Servilët në krye të shtetit
Arbana Xharra


Kishin një plan, madje plan policor kundër zgjedhjeve serbe në Kosovë, ndërkohë dolën me disa qëndrime të "ashpra” politike, bile-bile aty këtu u bë edhe zhurmë, ku u dhanë fjalë të mëdha se nuk do të lejohen të mbahen zgjedhje në Kosovë. Deklarata ato që më shumë i ngjanin një pjese të dobët teatrale me aktor qesharak, që në këtë rast kishin të bënim me politikanë pa autoritet të degraduar të cilëve po na u bëhet me dije se ua kanë zënë bishtin ndërkombëtarët dhe i sjellin për qejfin e tyre. Është më se e qartë se nuk janë duke guxuar të bëjnë zë, ata e dijnë se çfarë është mirë e çfarë është keq për Kosovën, e dinë se mbajtja e këtyre zgjedhjeve është pasqyrë e saktë e gjendjes politike dhe rrezikut territorial që është duke iu kanosur Kosovës.

Serbët jo vetëm që votuan brenda territorit të Kosovës por ata si qytetarë të denjë të Serbisë pa u penguar nga askush. Partia më e madhe në pushtet PDK, doli me qëndrimin zyrtar se mbajtja e zgjedhjeve parlamentare dhe presidenciale të Serbisë dhe në territorin e Kosovës është bërë sipas Kushtetutës dhe standardeve evropiane. Adem Grabovci nga kjo parti tha se me 6 maj u respektua Kushtetuta e Kosovës dhe e drejta e caktuar më këtë dokument që qytetarëve me dy nënshtetësi t’u mundësohet të votojnë. Ndërrim drastik i deklaratave të para dy dite, kur u zotuan se do të përdorin gjithë forcën kushtetuese dhe ligjore për të ndaluar mbajtjen e zgjedhjeve lokale serbe në territorin e Kosovës.

Ato megjithatë u mbajtën edhe pse u tha se nuk do të lenë efekt juridik, ato jo vetëm që e arritën efektin ligjor por përçuan sinjalin e qëndrimit ndërkombëtar karshi Kosovës dhe Serbisë, i cili edhe kësaj here u pozicionua nga pala tjetër dhe aspak në favor të Kosovës.

Bashkimi Evropian uroi Serbinë për organizimin e zgjedhjeve të lira parlamentare dhe presidenciale. Njëri nga zëdhënësit e shefes për politikë të jashtme të BE-së, Catherine Ashton, ka falënderuar edhe OSBE-në për lehtësimin e zgjedhjeve në zonat e banuara me shumicë serbe në Kosovë. Ashton nuk reagoi për shumë situata të rënda që i kanë ndodhur Kosovës, heshti pas vrasjes së shqiptarit në Mitrovicë edhe për kidnapimin e policëve kufitarë kurse zgjedhjet serbe i uroi.

Politika në Kosovë duke e ditur qëndrimin ndërkombëtar dhe gatishmërinë e tyre për t’iu përkulur është dashur së paku të mos marrin krye me zotime se nuk do të lejojnë dhe më pas ta demantojnë qëndrimin e tyre zyrtar. Kanë mundur të kursehen nga arsyetime banale të mosndërhyrjes në procesin zgjedhor të Serbisë dhe të paktën indirekt të bëjnë me dije se janë të dirigjuar.

Akterët politikë servilë ndaj urdhrave që vijnë nga lart janë duke i kontribuar denigrimit shtetëror të Kosovës dhe forcimit të autoritet serb në rajon dhe karshi instancave të larta ndërkombëtare. Është po kjo skenë politike e cila disa herë ka pasur në duar të saj mundësinë që t’u thotë JO atyre që ua kanë frikën duke u thirrur në rezolutën e miratuar në Kuvendin e Kosovës. Të bësh politikë nuk do të thotë të bësh kompromis të vazhdueshëm me palën e tretë e të cenosh me duart tua sovranitetin e Republikës së Kosovës.
Views: 340 | Added by: ksdardania | Rating: 5.0/1

Te nderuar komentues! Duke mos dashur te cenojme opinionet tuaja, lutemi qe ato te mos permbajne fyerje dhe ofendime personale dhe te kene lidhje me shkrimin, apo temen per te cilen komentohet. Ne te kundert, nuk do te publikohen. Ju falenderojme qe na ndiqni dhe ju ftojme te vazhdoni te jeni pjese e Ks-Dardania.
comments powered by Disqus