Akuzat dhe kundërakuzat, të filluara para disa muajsh, mes Vetëvendosjes dhe Hashim Thaçit, kur shumë deputetë-e të këtij subjekti politik, të parët patën kërkuar që kryeministri të rrëfehet para opinionit kosovar për takimet e tij me presidentin serb Tadiq, e që në dy seancat e fundit të prillit u vazhduan edhe nga Hashim Thaçi, drejtuar jo vetëm Vetëvendosjes, por edhe subjekteve tjera politike, që, sipas kryeministrit, disa nga ta i kanë bërë me ministra serbë të Tadiqit, në takime të ndryshme dhe që duhet gjithashtu treguar opinionit kosovar, asociojnë me tregimin kur dhia i thotë deles: "kuku marre, ta kam pa…”, edhe pse dihet se dhia si kafshë gjithnjë e ka bishtin të ngritur lart dhe gjithnjë është e ekspozuar.
Kërkesa e Vetëvendosjes për të bërë patjetër publike takimet e Thaçit me Tadiqin pati kulmuar në atë masë, sa që në një moment edhe para deputetëve të Kuvendit, lideri i këtij subjekti politik, Albin Kurti, e pati krahasuar personalitetin e Thaçit me dy ish- komunistët e Titos, Sinan Hasanin e Ali Shukriun.
Na kujtohet edhe momenti kur Thaçi, si duket i "nokautuar”, po në atë moment pati dalë para foltores dhe pati thënë troq "ok, hajde t’i hapim letrat…
Dhe vërtet, opinioni i gjerë e di shumë mirë kur "operativci”- Kamishi, me disa të tjerë nga PDK-ja, përvoli mëngët dhe paralajmëroi dosje për Albinin,dhe publikim letrash e faktesh, me të cilat, afër një muaj u morën gati gjithë mediat, qarshia e mileti,dhe në fund, u publikuan disa letra ,pos procesit të Policisë së Kosovës që ishin të protokoluara, të cilat si kryeprotagonist kryesor, kuptohet, e kishin Albin Kurtin, që akuzohej për takime sekrete me disa serbë të Klinës (thuhej për njerëz të shërbimit të Sërbisë), pastaj për një aferë me një serbe nga Beogradi, dhe për një letër, që ka marrë nga vajza e ish- ministrit serb të Punëve të Brendshme të Serbisë, në kohën e Millosheviqit, me mbiemrin Sokoloviq.
Por,"kokëfortësia” e Albinit se nuk dëshiron të përgjigjet në këso kërkesa dhe akuza, as në media e as në Parlament, me të vetëmin arsyetim se ato janë shpifje dhe akuza të pabaza ,dhe se nuk dëshiron t’iu përgjigjet njerëzve të Shik-ut,me shumë të drejtë hapën dilema, te një pjesë e madhe e opinionit, se me këtë rast diçka po fshifet dhe se diçka këtu "po zihet”.
Albin Kurti, si lider i një subjekti politik ,jo me pak peshë në Parlamentin e Kosovës, me mbi 5o mijë votues, që vetëm atij ia kanë dhënë votën, pastaj si person publik me ambicie të mëdha për të qenë lider me përmasa të mëdha, jo vetëm që nuk u tregua korrekt para elekoratit të vet, pra para atyre mbi 50 mijë votuesve, por edhe opinionit të gjerë, rrejti dhe nuk tregoi të vërtetën, edhe kur në një televizon në Shqipëri, ku shkoi (në Kosovë refuzoi por i mori lakmi Thaçit)) dhe në pyetjen e gazetarit se a është takuar me serbë, kategorikisht tha jo, ndërsa ditën e nesërme u publikua në media faksimili i Policisë së Kosovës për atë takim dhe bastisje në veturë.
Mosgatishmëria e Albinit për të treguar dhe pranuar se është takuar apo për të argumentuar se nuk është takuar, por çdo gjë është montim, apo falsifikim i Shik-ut, apo edhe i Policisë së Kosovës (edhe pse dihet edhe emri i policit që e ka bërë këtë raport), tregon se Albini në radhë të parë nuk është një person i sinqertë dhe korrekt, së pari me ata që e mbështesin dhe e kanë respektuar, është një manipulues, injorant, dhe jo i sinqertë, që i frikohet së vërtetës apo vetvetes dhe është një lider që nuk premton dhe i cili, po ta kishte pushtetin, do të sillej sikur liderët e deritashëm apo edhe më keq se ata.
Pra, nuk janë për t’u nënçmuar edhe opinionet e shumta që po dëgjohen, pas këtij rasti, se është momenti vendimtar për Vetëvendosjen të kërkojë një lider tjetër, i cili do ta udhëheqë këtë subjekt politik,gjithësesi shumë të nevojshem për vendin, për të ndikuar në proceset, në të cilat po kalon Kosova, sepse me Albinin në krye, ky subjekt politik po përjeton dhe do të përjetojë edhe më thellë krijimin e një klime të mbylljes në vetvete, apo të një grupimi të caktuar brenda këtij subjketi, që do t’iu ngjasonte sebjekteve tjera, pastaj një izolimi edhe më të madh ndërkombëtar, përkundër letrave që ka dërguar kohëve të fundit në adresë të kancelarive ndërkombëtare, pikërisht ky Albin që dallohej për "rebelizëm”,”pa pardon” ndaj ndërkombëtarëve.
Në anën tjetër, edhe kryeminsitri Thaçi, me kërkesën e tij decidive për të treguar opozita se kush është takuar me minsitra serbë, është kërkesë e një niveli shumë fëmijëror, pa kurrfarë peshe, me çka tregon për nivelin me të cilat merret një kryeministër i një vendi, siç është Kosova me shumë probleme tjera, shumë më madhore dhe shumë më urgjente.
Për t’u treguar transparent dhe korrekt karshi gjithë opinionit kosovar, së pari kryeminsitri Thaçi, si person numër një në vend (kështu po ka qejf të prezantohet), është dashur të rrëfehet konkretisht se ai vetë a është takuar apo jo me Tadiqin (raporte të kabllogramit të Wikiliksit kanë treguar për takime), kur janë bërë dhe çka është biseduar në ato takime , dhe kuptohet, nuk ka asgjë të keqe edhe nëse janë bërë këto takime, pasi që do të sillnin vetëm dobi, meqë herëdo kurdo patjetër do të mbahen, qoftë me Thaçin apo me ndonjë tjetër, dhe çdo vonesë në këtë drejtim vetëm do të na kushtojë.
Por, nëse Hashim Thaçi, me stilin e tij si shumë herë më parë, edhe kësaj radhe ka tentuar ta etiketojë Vetëvendosjen, apo edhe subjektet tjera politike, se kinse ata janë takuar me ministra serbë, për të krijuar një opinion se ata janë të dyshimtë, edhe ky veprim dhe qëllim është për çdo kritikë, është tendencioz, dhe pa bazë e i paargumentuar, sepse pikërisht edhe në qeverinë Thaçi 1 edhe në qeverinë Thaçi 2, me përjashtime, ka njerëz dhe persona që kësaj Kosove i kanë bërë dëme, ndoshta më shumë se do t’i kishte bërë ndonjë ministër serb i qeverisë të këtij shteti.
Ka pasur dhe ka mjaft prej tyre që janë shumë të përfolur për lidhje me grupe kriminale serbe e ndërkombëtare, pastaj persona me një të kaluar të dyshimtë, apo siç i quan i "trenti”, Bexhi, horra të të gjitha qeverive e pushteteve të ish-Jugosllavisë.
Pikërisht ky kryeminsitër ka afruar afër vetes dhe ka avancuar njerëz në pozita të larta, disa nga ata që e kanë pasur derën hapur non stop, edhe te kasapi i Ballkanit, Millosheviqi, e të mos flasim të kohës së Rrahman Morinës…
Ky kryeministër, që po akuzon për takime me zyrtarë serbë, ka emëruar edhe ambasadorë, në emër të Kosovës, persona që jo vetëm janë të përfolur e të dyshimtë për afera të shumta korruptive,por me siguri ka të atillë që do ta ndienin veten të privilegjuar të takoheshin edhe me njerëz, jo vetëm të Tadiqit, por edhe të Koshtunicës…
Andaj, z kreministër i Kosovës dhe lider i PDK-së, dhe Albin Kurti, lider i Vetëvendosjes, me kërkesat e bëra për t’u rrëfuer për takime eventuale me zyrtarë serbë, jeni treguar shumë naivë dhe po ashtu të pandërgjegjshëm si lidership, keni luajtur me ndjenjat e kosovarëve dhe jeni paraqitur vetëm konfliktualë, sepse edhe sikur të ishit takuar me zytarë serbë, por edhe me kryetarin e Serbisë, edhe me opozitarë e jashtopozitarë nga Serbia, nuk do të kishit dëmtuar aspak Kosovën, sepse keni legjitimitet për ta bërë këtë, kuptohet për biseda konkrete dhe pa rezerva, si përfaqsues të një vendi dhe të një shteti që ka identitet dhe subjektivitet të plotë, por si duket ju i frikoheni vetvetes apo të kaluares, ose është një lojë që dëshironi ta përdorni dhe plasoni tek opinioni për të mbetur sa më gjatë në pushtet.
Kosova nuk disponon me kapacitete të jashtëzakonshme dhe nuk është Iran apo Kore e Veriut e mbushur me materie bërthamore dhe takimet eventuale me liderë serbë nga Serbia mund të keqpërdoreshin nga ndokush, andaj mos e bëni” mizën buall” dhe mos u tallni me këtë popull e me këtë Kosovë, sikur çdo gjë varet nga JU, sepse në radhë të parë, nëse keni identitet, personalitet dhe qëndrim, takimi edhe me armikun më të madh ju fuqizon jo vetëm juve, por edhe vendin.
Ne seancat e ardhshme, harroni këto metoda për debate, sepse ato tashmë janë demode dhe bajate.
Te nderuar komentues! Duke mos dashur te cenojme opinionet tuaja, lutemi qe ato te mos permbajne fyerje dhe ofendime personale dhe te kene lidhje me shkrimin, apo temen per te cilen komentohet. Ne te kundert, nuk do te publikohen. Ju falenderojme qe na ndiqni dhe ju ftojme te vazhdoni te jeni pjese e Ks-Dardania. comments powered by Disqus