Main » 2012»Shkurt»14 » usnota: Rezoluta 1244 dhe vendimi i GJND-së
12:43 PM
usnota: Rezoluta 1244 dhe vendimi i GJND-së
Faton H. Bislimi
Problem me përfaqësimin rajonal ka Beogradi e jo Prishtina Në bisedimet që po zhvillohen në Bruksel në mes të Prishtinës dhe Beogradit, njëra nga çështjet më të ndërlikuara që është diskutuar deri më tani është ajo e përfaqësimit rajonal të Kosovës pa pengesën e Serbisë. Pas arritjes së disa marrëveshjeve, për zbatimin e të cilave, pak dihet; ngërçi erdhi tek çështja e përfaqësimit rajonal të Kosovës për të cilën Prishtina insiston se do të prezantohet vetëm i shtet i pavarur dhe pa UNMIK-un, kurse Beogradi assesi nuk e pranon këtë.
Andaj, Beogradi ka dhënë disa sugjerime se si nuk do ta pengonte përfaqësimin rajonal të Kosovës, dhe të gjitha këto propozime që do t’i pranonte Beogradi nuk mund lehtë të pranohen nga Prishtina pasi mohojnë sovranitetin e Kosovës. E sovraniteti i Kosovës dhe pavarësia e saj janë atribute të Kosovës si shtet që as nuk janë arritur me pëlqimin e Serbisë e as nuk mund të hiqen nga Serbia. Mirëpo, sovraniteti dhe pavarësia e vendit e humbin kuptimin e tyre në marrëdhëniet e Kosovës më rajonin nëse Prishtina vet heq dorë nga to – si p.sh., duke pranuar të paraqitet në nisma rajonale si Kosovë e jo si Republika e Kosovës, që është emri zyrtar i vendit tonë i përcaktuar me Kushtetutë, apo duke u paraqitur me një fusnotë që thotë diçka që realisht e bënë të padefinuar cilësinë në të cilën paraqitet Kosova.
Shumë deklarime e shumë reagime janë bërë kohëve të fundit si nga pozita ashtu edhe nga opozita në lidhje me këtë çështje. Mirëpo, ajo që duhet vënë re është fakti se asnjëherë askush nuk e ka parashtruar një pyetje fundamentale që ka të bëjë me këtë çështje. Ajo është: pse duhet bindur Serbia për të mos penguar Kosovën në nisma rajonale? Apo, pse dhe si mund që Serbia ta pengojë Kosovën në këto nisma?
Siç e kemi pare deri më tani, në shumicën e takimeve të niveleve të larta të rajonit, Kosova është ftuar dhe ka marrë pjesë si shtet i pavarur. Normalisht, kjo nuk i ka pëlqyer dikujt – kuptohet Beogradit – dhe si rezultat Beogradi është ai që është tërhequr nga pjesëmarrja në nisma apo takime të tilla e jo Kosova. Dy shembujt më të freskët të kësaj natyre janë largimi i Beogradit nga tavolina e pjesëmarrësve në Samitin e Stambollit ku po merrte pjesë Ministri Beqaj si përfaqësues i Republikës së Kosovës, dhe largimi i Beogradit nga tavolina e pjesëmarrësve në Javën e Gjelbert në Gjermani, për shkak të pjesëmarrjes së Ministrit Stavileci si përfaqësues i Republikës së Kosovës. Në të dyja këto raste, përfaqësimi i Kosovës si shtet Sovran dhe i pavarur nuk e pengoi aspak Kosovën në këto nisma apo takime rajonale, por e pengoi Beogradin. Dhe, nëse dikush u dëmtua nga përfaqësimi i Kosovës si Republika e Kosovës, ishte pikërisht Beogradi.
E tani, ne po negociojmë të gjejmë një zgjidhje për prezantimin e Kosovës në mënyrë që Beogradi të prezantohet në këtë nisma e takime, e jo Kosova. Duket qartë se Kosova nuk e paska një problem të tillë – por Beogradi po.
Rrjedhimisht, nëse dikush duhet të lëshojë pe në këtë çështje, atëherë është pala që më shumë do të fitonte nga ky kompromis. E normalisht, duket se Beogradi po pëson më shumë në këtë drejtim dhe si rezultat do të fitonte më shumë në rast të një kompromisi që do t’i mundësonte Beogradit të marrë pjesë aty ku është edhe Kosova. Duket se ne e kemi trajtuar gabimisht këtë çështje dhe duket se kemi ardhur në positë që mund edhe të pranojmë një kompromis që do të sillte përfaqësimin e Kosovës në nisma rajonale si Kosovë me një fusnotë, që sipas propozimit të fundit, do të përmendte edhe Rezolutën 1244 edhe Vendimin e GJND-së për ligjshmërinë e shpalljes së pavarësisë së Kosovës.
Në shikim të parë, ky lloj përfaqësimi duket se do të kënaqte edhe Beogradin edhe Prishtinën – pasi që përmbush kriterin e Beogradit se Kosova është ende nën OKB-në dhe teknikisht pjesë e ish-Jugosllavisë së cilës i referohet 1244-shi, e ndoshta për dike e përmbush edhe kriterin e Prishtinës, pasi që ceket edhe vendimi i GJND-së që shpall të ligjshme sipas akteve ligjore ndërkombëtare pavarësinë e Kosovës.
Matematikisht, kjo lloj fusnote duket si një balancim me efekt zero. Dmth, rezoluta 1244 dhe vendimi i GJND-së përmbysin njëra-tjetrën. Mirëpo, realisht nuk duhet harruar faktin së është pikërisht rezoluta 1244 dokumenti që solli ndarjen e shteteve në mes të atyre që njohën pavarësinë e Kosovës dhe atyre që ende vazhdojnë të mos e njohin atë. Është rezoluta 1244 ajo që ende i mundëson UNMIK-ut qëndrim legal në Kosovë e bile edhe disa funksione ekzekutive në veri. E në anën tjetër, vendimi i GJND-së edhepse shumë i favorshëm për Kosovën, është mendim këshillëdhënës, të cilit mund t’i mos i binden ata që nuk e vlerësojnë si të favorshëm për vete.
Andaj, edhe propozimi i fundit që duket se është hedhë në tavolinën e bisedimeve Prishtine-Beograd duhet të jetë i papranueshëm për Prishtinën derisa i referohet rezolutës 1244. Kuptohet se presioni eventual drejt Kosovës që mund të vije nga BE mund edhe të detyrojë Prishtinën zyrtare të pranojë një kompromis të tillë. E në atë rast, përfituesi kryesor do të ishte Beogradi – jo vetëm që do t’i siguronte vetës përfaqësim rajonal pa e patur kompleksin e Kosovës, por sipas të gjitha gjasave do ta siguronte edhe statusin e kandidatit për anëtarësim në BE. Prandaj, derisa BE nuk ka një ofertë më të mire për Prishtinën se për Beogradin, në këto rrethana, i tërë presioni duhet të bie mbi Beogradin e aspak mbi Prishtinën.
Në fund, le të rikujtojmë edhe njëherë se cili është thelbi i çështjes këtu – e ai është përfaqësimi i Beogradit në nisma rajonale e jo i Prishtinës; kandidatura e Beogradit për anëtarësim në BE, e jo ajo e Prishtinës. Rrjedhimisht, përfitimi i Beogradit nga kompromisi në këtë çështje është krejtësisht më i madh se ai i Prishtinës dhe logjikisht lëshimet e Beogradit duhet të jenë proporcionalisht më të mëdha se ato të Prishtinës. Përndryshe, marrëveshja e kompromisit edhe mund të arrihet, por nuk do të ishte assesi fer dhe assesi e dobishme për Kosovën.
(Autori është profesor i lendëve të politikës dhe ekonomisë në Mount Saint Vincent University dhe Dalhousie University në Halifax, Canada)
Te nderuar komentues! Duke mos dashur te cenojme opinionet tuaja, lutemi qe ato te mos permbajne fyerje dhe ofendime personale dhe te kene lidhje me shkrimin, apo temen per te cilen komentohet. Ne te kundert, nuk do te publikohen. Ju falenderojme qe na ndiqni dhe ju ftojme te vazhdoni te jeni pjese e Ks-Dardania. comments powered by Disqus